Qeveria e Shqipërisë ka miratuar sot vendimin për rritjen e pagës minimale dhe të pensioneve. Paga minimale, sipas vendimit të fundit nga 260 është bërë 280 euro. Në Kosova paga minimale është ende 130/170 euro. S’ka ndryshuar që nga vitit 2011.  Kurse, për pensionet e para është Maqedonia, pastaj vjen Shqipëria dhe e treta mbetet Kosova

Me gjithë rritjen e inflacionit dhe kilzës financiare,  paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar që nga viti 2011.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për të punësuarit nën 35 vjeç dhe 170 euro për mbi 35-vjeçarët.

Inflacioni, në anën tjetër, ka arritur në mbi 14 për qind dhe çmimi i çdo produkti ushqimor është rritur.

E derisa Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti, nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk ka vendosur ende për rritjen e pagës minimale, një lëvizje në të mirë të qytetarëve e ka bërë Qeveria Shqipërisë, shkruan Demokracia.com.

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar sot vendimin për rritjen e pagës minimale dhe të pensioneve. Paga minimale, sipas vendimit të fundit nga 260 është bërë 280 euro.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delinda Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë. Paga minimale, sipas vendimit të fundit, shkon nga 32 mijë në 34 mijë lekë të vjetra.

“Nga ky vendim perfitojnë pensionistët, të cilët nga pensionet që do marrin në muajin tetor do të kenë një rritje të pensioneve në nivelin 9.5%. Paga minimale bëhet 34 mijë lekë. Ky është një vendim që prek mbi 200 mijë të punësuar nga kjo VKM e Këshillit të ministrave. Rreth 900 mijë përfitojnë nga rritja e pensioneve dhe rritja e pagës minimale, vendime që u morën sot ”, tha ajo.

Analisti Imer Mushkolaj, ka komentuar lidhur me rritjen e pagës minimale në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, Mushkolaj ka thënë se në Kosovë paga minimale ende është 130/170 euro.

“Shqipnia e paska ngrit pagën minimale nga 260 në 280 euro. Te na hala 130/170 euro. Super qeverisje”, ka shkruar ai.

Në mbledhjen e mbajtur më 13 prill, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Mirëpo, deri më tash nuk është bërë asgjë konkrete në ketë drejtim.

Nëse paga minimale bruto në Kosovë rritet në 264 euro, atëherë ky vendim prek rreth 30 për qind të tregut të punës apo rreth 105 mijë punonjës, thuhet në hulumtimin e publikuar nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP.

Sipas këtij hulumtimi, mbi 94 për qind e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.

Gjetjet e këtij hulumtimi, të publikuar më 29 prill, bazohen në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës për muajin dhjetor të vitit 2021.

Sipas Institutit, punëtorët që do të preken nga rritja e pagës minimale janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari e të tjerë

Përveç pagës minimale, Kosova është e rendit keq krahasor me vendet e rajonit edhe për pensionet.

E para me pensione është Maqedonia, pastaj vjen Shqipëria dhe e treta mbetet Kosova.

Sipas të dhënave të bërë publike muaj më parë, Maqedonia e Veriut është ndër vendet me pensione më të larta në rajon, duke arritur shifrën mesatare prej rreth 258 euro në muaj, ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të pensionistëve, pasi në këtë vend janë regjistruar gjithsej 674.092 përdorues të pensioneve.

Kosova, megjithëse ka numrin më të ulët të përdoruesve të pensioneve, po ashtu me një pension bazë prej 100 euro është vendi me pensione më të ulëta në rajon.

Maqedonia e Veriut me pensione mesatare prej 258 euro.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të regjistruar 325.156 përdorues të pensioneve. Prej tyre, pjesa më e madhe (219.856) janë përdorues të pensioneve të pleqërisë, ndërsa pjesa tjetër janë përdorues të pensioneve familjare (75.080) dhe pensioneve invalidore (30.220). Në nëntor të vitit të kaluar pensioni mesatar në këtë vend ishte rreth 258 euro.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri deri në muajin shtator të vitit 2021 përfitues nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore janë në total 674.092 pensionistë. Mes tyre 553.509 janë përfitues të pensionit të pleqërisë, 68.649 përfitues të pensionit invalidor dhe 51.934 përfitues të pensionit familjar. Masa maksimale e pensionit është rreth 238 euro, për pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare. Për të njëjtat kategori, masa minimale e pensioneve është rreth 119 euro në muaj.

Kosova me pensione më të ulëta dhe me më pak përdorues të pensioneve.

Në Kosovë rreth 121 mijë qytetarë të moshës mbi 65-vjeç janë në listat që paguhen për pensionet bazike ndërsa numri i pensionistëve kontribut-pagues është rreth 43 mijë. Në total janë rreth 165 mijë përfitues të pensioneve në Kosovë.

Për disa vite me radhë që nga paslufta, pensionet bazë të moshës në Kosovë kanë qenë 75 euro ndërsa në vitin 2019 ato u bënë 90 euro. Nga viti 2021 me vendim të përhershëm të qeverisë, pensionet bazike, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensioni familjar dhe pensioni invalidor i punës janë bërë nga 100 euro.

Buxhetit të shtetit, dhënia e pensioneve i kushton rreth 165 milionë euro për pensionet bazike të moshës, ndërsa rreth 119 për ato të kontributpaguesve./Demokracia.com/.

Share.