Të martën, Papa Françesku shkarkoi të gjithë kryesinë e organizatës globale humanitare të Kishës Katolike për shkak të akuzave për ngacmim dhe poshtërim të punonjësve dhe emëroi një komisionar për ta drejtuar atë.

Lëvizja e papritur përfshin krerët e Caritas International (CI), një konfederatë e organizatave katolike aktive në më shumë se 200 vende dhe me seli në Vatikan.

Ndryshimi në udhëheqjen e CI, e cila ka më shumë se një milion punonjës dhe vullnetarë në mbarë botën, u njoftua në një dekret papal të raportuar nga zyra e shtypit e Vatikanit.

Në një deklaratë të veçantë nga Zyra e Vatikanit për Zhvillim, e cila mbikëqyr CI, thuhet se monitorimi i jashtëm i mjedisit të punës ka identifikuar dobësi dhe praktika të dobëta menaxheriale në selinë e organizatës.

Punonjësit aktualë dhe të mëparshëm kanë folur për abuzim verbal, patronazh dhe keqmenaxhimin e burimeve njerëzore që çoi në largimin e disa punonjësve.

“Nuk kishte asnjë provë për keqpërdorime financiare apo shkelje seksuale, por janë shfaqur tema dhe fusha të tjera të rëndësishme që kërkojnë vëmendje urgjente”, thuhet në deklaratë.

Midis të shkarkuarve është kardinali Luis Antonio Tagle, presidenti zyrtar i Caritas-it i cili nuk ishte i përfshirë në operacionet e përditshme.

Me përjashtim të Tagle dhe një prifti tjetër, të gjithë anëtarët e trupit drejtues të CI janë laikë.

Share.