Izraeli dhe Hamasi nuk kanë arritur ende një marrëveshje për një armëpushim të përkohshëm, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë mbrëmë, duke iu përgjigjur një raporti të Washington Post se një marrëveshje ishte arritur.

SHBA vazhdon të punojë drejt një marrëveshjeje mes dy palëve, tha zëdhënësi. Një zyrtar tjetër amerikan konfirmoi se asnjë marrëveshje nuk është arritur, transmeton Telegrafi.

Washington Post raportoi dje se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Katari u arrit midis Izraelit dhe Hamasit, për një armëpushim pesëditor në këmbim të lirimit të 50 ose më shumë pengjeve.

“Nuk ka ende një marrëveshje, por ne vazhdojmë të punojmë shumë për të arritur një të tillë”, tha në një deklaratë Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin pas tërbimit të grupit militant në Izrael më 7 tetor, në të cilin luftëtarët e tij vranë 1200 njerëz dhe morën 240 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Ndërsa konflikti hyri në javën e shtatë, autoritetet në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi thanë se numri i të vdekurve ishte rritur në 12,300, duke përfshirë 5,000 fëmijë.

Izraeli tha se po përgatitej të zgjeronte ofensivën e tij kundër militantëve të Hamasit në jug të Gazës, pasi sulmet ajrore vranë dhjetëra palestinezë, përfshirë civilë që thuhet se ishin strehuar në dy shkolla.

Washington Post raportoi se Izraeli, SHBA dhe Hamasi arritën një marrëveshje paraprake për lirimin e dhjetëra grave dhe fëmijëve të mbajtur peng në Gaza, në këmbim të një armëpushimi pesë-ditor.

Si pjesë e marrëveshjes së detajuar prej gjashtë faqesh, të gjitha palët do të ngrinin operacionet luftarake për të paktën pesë ditë, ndërsa “50 ose më shumë pengje fillestare lirohen në grupe më të vogla çdo 24 orë”, raportoi Post.

/TV Malisheva

Share.