Rreth 1.600 refugjatë të komunitetit Rohingya po dërgohen me anije ushtarake të Bangladeshit në një ishull të largët në Gjirin e Bengalit, pavarësisht ankesave të refugjatëve dhe grupeve humanitare se disa po detyrohen të zhvendosen.
Autoritetet e Bangladeshit thonë se po i zhvendosin vetëm refugjatët që dëshirojnë të shkojnë në Ishullin Bhasan Char dhe se ky veprim do ta lehtësojë mbingarkesën kronike në kampet ku ndodhen mbi një milion refugjatë të komunitetit Rohingya, pakicë myslimane e zhvendosur nga Birmania për shkak të përndjekjes shtetërore.
Megjithatë, refugjatët dhe punëtorët humanitarë thonë se disa pjesëtarë të këtij grupi janë detyruar me forcë që të shkojnë në Bhasan Char, ishull që është i rrezikuar nga vërshimet, sepse ka dalë nga sipërfaqja e detit vetëm 20 vjet më parë.
Një zyrtar detar tha se refugjatët janë duke u transportuar me shtatë anije, ndërsa me dy të tjera po transportohen furnizimet. Anijet janë nisur nga porti Chittagong, shkruan Reuters.
Refugjatët ishin hipur në anije të ngarkuara, të ulur në karrige plastike. Disa prej tyre kishin marrë çadra për t’u mbrojtur nga dielli për shkak se lundrimi zgjat disa orë.
“Qeveria nuk është duke marrë askë në Bhasan Char me forcë. Ne e mbajmë këtë pozicion”, tha ministri i Jashtëm, Abdul Momen. Sidoqoftë, dy refugjatë thanë se emrat e tyre janë në listën e hartuar nga zyrtarët lokalë pa pëlqimin e tyre.
Punëtorët humanitarë thanë se zyrtarët kanë përdorur kërcënime dhe joshje për t’u bërë presion refugjatëve që të zhvendosen./TV Malisheva