Që në ditët e para të qeverisjes, presidenti i ri amerikan, Joe Biden, ndërmori veprime në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBT.

Shumë aktivistë për këto të drejta e mirëpritën vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të përfshirë opsionin për zgjedhjen e përemrit te forma kontaktuese, shkruan BBC.

Presidenti i ri gjithashtu i ka adresuar diskriminimin në vendin e punës dhe të drejtat e personave transgjinorë në ushtri. Këto veprime po shihen si ndryshim i dalluar në krahasim me administratën e Trumpit.

Vetëm një ditë pas inaugurimit të Bidenit, të enjten e kaluar, Shtëpia e Bardhë e publikoi formatin e ri të kontaktit, ku përfshihet mundësia që përdoruesit ta zgjedhin përemrin për veten.

Ndryshimet në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë u mundësojnë përdoruesve që të zgjedhin një përemër nga lista e përemrave “ai/atij”, “ajo/asaj”, shumësin e vetës së tretë, që në gjuhën angleze është i njëjtë për të dyja gjinitë, “they/them”, si dhe mundësinë “preferoj që të mos e tregoj (gjininë)”.

Ndryshe, Joe Biden më parë e ka nominuar transgjinoren Rachel Levine për asistente të Sekretarit për Shëndetësi. /TV Malisheva

Share.