Shkruan: Afrim Kasolli – Që nga intervenimi tokësor i trupave tokësore izraelite në Gaza, si kundërpërgjigje për sulmin e grupit militant palestinez të Hamasit më 7 tetor ku mbeten të vrarë rreth 1200 qytetarë izraelitë, janë shtuar edhe më shumë shqetësimet se çka pas këtyre operacioneve ushtarake?

Mëngjesin e 7 tetorit, kryeministri i Izraelit pati deklaruar se tashmë jemi në një luftë, jo në një operacion të veçantë. Dhe se kjo luftë mund të jetë e gjatë dhe e mundimshme. Pa kaluar shumë kohë, u krijua edhe kabineti qeveritar i luftës, me synim që të arrihet një unitet sa më i madh i brendshëm politik dhe shoqëror në kuadër të këtij shteti.

Ndërkohë, që kur ka filluar operacioni tokësor në Gaza, autoritet izraelite kanë qenë të paqarta lidhur më qëllimet dhe kohëzgjatjen e kësaj fushate speciale. Kryeministri Benjamin Netanyahu, përpos se është zotuar se do ta çrrënjos Hamasin, po ashtu nuk ka qenë i qartë se si e paramendon administrimin e rripit të Gazës. Ai vetëm ka shtuar se Autoriteti Palestinez në formën e tij aktuale nuk duhet ta marr “drejtimin e enklavës bregdetare”. Kurse, përgjegjëse për sigurinë e rripit për një kohë ta pacaktuar do të jenë forcat e Izraelit.

Në këtë kontekst, janë vërejtur edhe dallimet dhe fërkimet e para ndërmjet administratës amerikane si dhe qeverisë së shtetit izraelit. Nëse ato i bashkonte objektivi për eliminimin e Hamasit, megjithatë dallimet janë shpërfaqur me qëllimet politike pas këtij procesi. Madje, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby, ka deklaruar se SHBA-ja beson se do të ishte “gabim për Izraelin nëse do të ripushtonte territorin e rripit të Gazës”.

Kurse këto tensione po shpërfaqen në një kohë kur diplomatët e Amerikës në Lindje të Mesme e kanë paralajmëruar Administratën Biden se mbështetja e fuqishme amerikane për fushatën ushtarake dhe destrukive të Izraelit është duke ndikuar në humbjen e mbështetjes së publikut në Botën Arabe për gjenerata të tëra.

Ndërkohë, shtimi i numrit të viktimave civile ka rritur edhe kritikat ndërkombëtare ndaj këtij shtetit të Izraelit.  Me këtë rast, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi se “Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve”.

Po ashtu, edhe Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka shtuar se “Shumë palestinezë janë vrarë. Ka shumë që kanë vuajtur javët e fundit, dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar dëmtimin e tyre, dhe për të rritur ndihmën që u jepet atyre”.

Mediat ndërkombëtare kanë përmendur disa opsione se si do të dukej në praktikë kjo zgjidhje “imediate” politike.  E para pushtimi i drejtpërdrejt i territorit. E dyta ai i Bregut Perëndimor, ku siç dihet Autoriteti Palestinez e gëzon një autonomi veprimi, mirëpo shteti i Izraelit e mban një forcë të konsiderueshme ushtarake si garantues të jetës së kolonëve izraelitë në këtë hapësirë. Apo ai i Libanit.

Sipas REL “më 1979 dhe më pas më 1982, Izraeli pushtoi jugun e Libanit gjatë betejave kundër militantëve palestinezë. Kjo çoi në një pushtim 18-vjeçar që u zbatua përmes aleatit lokal, Ushtrisë së Libanit Jugor, që pranoi armë dhe trajnime nga Izraeli. Më 1982, grupi militant libanez, Hezbollah, u formua me mbështetjen e Iranit dhe me synimin që të dëbojë forcat izraelite nga shteti. Ky grup kreu sulme si ndaj Ushtrisë së Libanit Jugor, ashtu edhe ndaj trupave izraelit, dhe këto sulme bënë që përfundimisht Izraeli të tërhiqej në vitin 2000”.

Prandaj, ekspertët kanë deklaruar se secili prej këtyre modeleve vetëm sa do përkeqësonte krizën. Për më tepër sipas tyre, eliminimi i Hamasit aktual vetëm sa do ta ushqejë grupe tjera radikale, ngase edhe nëse Izraeli vret çdo udhëheqës të Hamasit në Gazë, shkatërrimi i organizatës mund të jetë mision i pamundur, sepse Hamasi është një ideologji që ka mbështetës gjetiu – nga Libani në Katar” etj.

Prandaj, përtej këtyre opsioneve të pamundura janë shtuar zërat se mbase zgjidhja më e duhur për këtë konflikt, e cila ka mbi shtatë dekada që kthehet e rikthehet duhet të jetë plani i kahershëm për dy shtete. Këtë qëndrim ka filluar ta afirmojë gjithnjë edhe e më shumë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Para pak ditësh ai u bëri thirrjeve si Izraelit ashtu edhe liderëve arabë që të mendojnë mirë për realitetin eventual pas luftës. Sipas tij, prioritet duhet të jetë gjetja e një marrëveshjeje për zgjidhjen me dy shtete për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez. Madje, edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para takimit të forumit të paqes në Paris pohoi se në këtë event do ta paraqes planin e tij për paqe në mes këtyre dy popujve. Por, ende nuk ka asgjë konkrete.

Por a është e mundur të jetësohet ky ideal, për një konflikt rrënjët e të cilit sipas shumë kujt mund të gjurmohen që në Perandorinë Romake. Ndërkaq, për të tjerë shkëndijat e tij mund të gjenden që në shekullin 19-të, në kohën e Perandorisë Osmane kur komunitete hebraike emigruan nga Evropa drejt “tokës së origjinës”, për t’i shpëtuar anti-semitizimit në këtë kontinent. Kurse ka të atillë që pikënisjen e tij e shohin me deklaratën Balfour-it në vitin 1917, kur autoritet britanike premtuan mbështetje për ndërtimin e “shtëpisë nacionale për popullin hebre” në territoret e atëhershme palestineze.

Ndërkohë, si moment “zyrtar” për lindjen e këtij konflikti zakonisht merret viti 1947 kur Kombet e Bashkuara, pasi Britania e dorëzoi mandatin e administrimit të atij territori votuan për ndarjen e tij në dy shtete, një për Izraelin dhe tjetrin  për Palestinën.

Desakralizimi i “tokave të shenjta”

 Nuk ka dyshim se opsioni i sipër cekur politik për shtegdalje nga vorbulla e kësaj katrahure mund të jetë i dobishëm. Por, që të jetë funksional ai duhet të pranohet nga të dy palët. Dhe mjerisht sa më shumë kohë që po që po kalon, aq më shumë ky projekt po bëhet i pamundur.

Madje, siç shkruan gazeta britanike “The Guardian” që nga dështimi i fundit të negociatave të mbështetura nga ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry në vitin 2014, propozimi për dy shtete është bërë gjithnjë e më pak i pëlqyeshëm. Kjo vërehet edhe nga hulumtimet e opinionit publik. Kështu, sot vetëm 35% e Izraelitëve besojnë se mënyra më adekuate për koekzistencën paqësore ndërmjet dy popujve mund të gjendet në solucionin e dy shteteve. Kurse vetëm 24% e palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemi Lindor pajtohen me këtë opsion.

Ndërkohë, arsyet e këtyre ndryshimeve duhet kërkuar në faktin se gjithnjë e më shumë kanë fituar terren bindjet kolektive për një drejtë ekstra-politike për të menaxhuar tokat e shenjta. Pra të dy popujt gjithnjë e më tepër po e ushqejnë kolektivisht vetveten me besimin se kanë mandat hyjnorë për këtë detyrë tokësore. Dhe kjo është arsyeja që në këtë klimë modeli i dy shteteve ka filluar të gëzojë gjithnjë me më pak mbështetje publike. E siç dihet, vetëm në qytetin e Jerusalemit, gjenden disa nga objektet kryesore të kultit që kanë rëndësi për të tri komunitetet religjioze si atë hebraik, krishterë dhe islam sikur se; Tempulli i Solomonit gjurmët e të cilit gjenden në Murin e Lotëve, kisha e kryqëzimit dhe xhamia Al Aksa.

Ashtu siç dihet edhe nga historia dëshira që vetëm një komunitet t’i zotërojë këto objekte me rëndësi shpirtërore, dikur ka qenë ushqim i kryqëzatave. Sepse marshimi i tyre drejt mbretërisë qiellore i nxiste ato pasione që kjo e fundit duhej t’i luftonte. Prandaj, shtegdalja nga ky vicioz erdhi vetëm me ndërgjegjësimin se ata tempuj janë të zbrazët për nga përmbajta për aq kohë se parimet e tyre nuk gjejnë vend në zemrën njerëzore.

Në këtë kontekst, mbase desakralizimi i tokave të shenjta ofron njërin nga hapat vendimtar drejt krijimit të asaj klime shpirtërore dhe morale që do ta bënte të mundur pajtimin dhe paqen ndërmjet dy popujve.

Dhe nga kjo kthesë psikologjike dhe politike, mbase në vend të opsionit të dy shteteve, mund të krijohen edhe kushte që dy popujt ta merrnin në konsideratë vizionin e dikurshëm të Hannah Arendt, për “shtetin konfederal bi-nacional ndërmjet palestinezeve dhe izraelitëve.

Kurse pasuritë kulturore, arkitektonike dhe historike që gjenden në atë territor do të trajtoheshin si thesare të përbashkëta shpirtërore, e jo e drejtë ekskluzive hyjnore vetëm e njërit popull. Dhe mbase ne këtë mënyrë këta dy popuj me origjinë të përbashkët semitike, por që u ndan historikisht për shkak se njëri përqafoi fenë monoteiste ndërsa pjesa tjetër atëbotë mbeten pagan, do ta gjenin paqen përdëllyese.

/TV Malisheva

Share.