Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë intervistës së tij në edicionin e lajmeve te Zëri i Amerikës, e bëri atë që di ta bëjë më së miri, ta luajë rolin e një kameleoni hipokrit. Dhe po ashtu të shfaqet viktimë për hir të përfitimeve të brendshme elektorale. E tërë intervista e tij nuk qe asgjë tjetër, pos një manipulim i opinionit publik, me të njëjtën logjikë të pushtetit, për procesin e dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ajo shfaqje nuk ishte sulm kundër politikave të padrejta te Bashkimit Evropian në procesin negociator, siç edhe u perceptua në Kosovë. Por, një përpjekje për t’u viktimizuar për pranimin e draft- statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe gatishmërinë dhe vullnetin e demonstruar nga ky pushtet për ta themeluar atë entitet. Fakt ky, që është dëshmuar nga të gjithë burrështetasit evropianë që ishin pjesë e takimit me kryeministrin Kurti në margjina të samitit të BE-së, që u mbajt në Bruksel para pak kohë. Madje pas atij eventi, ishte kanceleri i Gjermanisë që dëshmoi se Kryeministri Kurti u ka premtuar se do ta përfundojë këtë detyrë politike.

Atëherë për ta maskuar këtë hipokrizi, Glauki u përkujdes që ta sulmojë BE-në nga Uashingtoni, se ajo nuk ka pasur të drejtë t’ia imponojë Kosovës këtë dokument. Të arsyetohet para atyre që i kanë marrë votat se nuk po i tradhëtojnë premtimet para tyre, por politikat e padrejta të vendeve evropiane na kanë sjellë në këtë situatë. Se nuk na lanë hapësirë tjetër, pos të veprojmë në këtë mënyrë, për të mos rrezikuar më shumë. E në fund të dalin si shpëtimtarë të shtetit të Kosovës, sepse këto lëshime ishin të detyruar t’i bënin për përfitime më të mëdha.

Sikur të ishte qëndrim i njëmendtë i pushtetit ajo që deklaroi Kryekuvendari Konjufca, atëherë këtë draft dhe propozim do ta kishin refuzuar ditën që ua sollën pesë emisarët perëndimorë në Prishtinë. Përkundrazi, ishte vetë i pari i qeverisë që e quajti si një fillim të ri. Kurse në vazhdimësi ai mbronte tezën se me këtë model të Asociacionit po merr fund trashëgimia mosnjohëse e Serbisë. Apo sikur vërtetë ata të ishin të sinqertë se renditjen e pikave të zbatimit të Marrëveshjeve duhet ta bëjë Kosova, nuk do ishin pajtuar në Ohër që një gjë e të tillë t’i mbetet në diskrecion të sponsorizuesit të dialogut për përcaktimin e prioriteve.

Por, pikërisht pse janë pajtuar me këtë logjikë të negociatave dhe që është në dëm të interesave shtetërore të Kosovës, tash pushtetit po i duhet shfajësim. E këtë detyrë metoi ta arsyetojë Glauku në Zërin e Amerikës. Që me vajet e tij të kërkonte mirëkuptim për tradhëtinë e bërë ndaj elektoratit. Dhe të zhvishet me shefin e tij nga përgjegjësia për këtë akt. Sepse është bërë përkundër vullnetit të tyre, çfarë edhe nuk e bënë këtë mazhorancë fajtore për këtë lëshim ndaj interesave shtetërorë. Fakt ky, që dëshmon se tashmë këtij pushteti nuk i ka mbetur tjetër opsion për ta ruajtur legjitimitetin, pos nëpërmjet “këngës së kukavajkës”.

/TV Malisheva

Share.