Në parkun “Gërmia” sonte do të nisë festivali ndërkombëtar i muzikës “Sunny Hill”. Mbrëmjen e së enjtes do të performojë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa e cila është shprehur krenare për organizimin e këtij festivali në Prishtinë. Para nisjes së festivalit ajo ka thënë se mezi pret që të shfaqet para publikut të Kosovës. Ndërkaq, babai i saj, Dukagjin Lipa ka theksuar se nuk është i kënaqur që “Sunny Hill” do të mbahet edhe këtë vit në “Gërmi”.

Këngëtarja Dua Lipa ka falënderuar të gjithë për përkrahjen dhe mundësinë për organizimin e këtij festivali, ku do të performojnë shumë artistë botërorë. Lipa nuk ka dhënë detaje të performancës së saj, por tha se mezi po pret që të këndojë para publikut të Kosovës.

Lipa: Ndihem shumë krenare

“Ndjehem shumë krenare që jam këtu dhe që e kam mundësinë me e sjell performancën, e kam pasur vëmendjen tërë ditën vetëm në performancë, kështu shpresoj që ju pëlqen dhe do të kënaqeni shumë sonte. Faleminderit shumë, po ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim, është ëndërr e madhe… Është një ndjesi shumë e mirë për të ardhur edhe për të performuar në Prishtinë, nuk ka ndjenjë më të mirë. Energjinë që ma jepni, unë veç kënaqem. Kështu që mezi po pres me i ndje ato emocione para se me dal në stage “, është shprehur ajo.

Për përkrahjen nga Kosova është falënderuar edhe babai i Duas, Dukagjini i cili tha se sonte do të nisë festivali më i madh në rajon me emrat më të mëdhenj të muzikës moderne.

Lipa: Pas dy viteve e organizojmë festivalin më të madh në rajon

“Në krejt botën e patëm një ndalesë të madhe, ku çdo gjë u ndërpre në mendjen tonë që asgjë nuk do të organizohet më si përpara. Por fatmirësisht ja ku jemi prapë, pas dy viteve e organizojmë festivalin më të madh në rajon, e organizojmë një prej festivaleve me emrat më të mëdhenj të muzikës moderne të momentit. E organizojmë në vendin ku krejt Evropa nuk e pret të organizohet një kësi lloj festivali. E organizojmë në një vend, i cili ka pasur trazira të shumta, në një vend i cili vazhdon të ketë trazira të shumta, me vite e dekada kapërcejnë në probleme pak me fajin e fqinjëve, pak me fajin tonë”, ka thënë Dukagjin Lipa.

Lipa ka theksuar se presin që në këtë festival të marrin pjesë mbi 25 mijë persona.

Lipa: Këtë vit llogarisim të jenë mbi 25 mijë persona

“Nuk e di numrin e saktë, mirëpo në edicionin e këtij viti llogarisim të jenë diku mbi 25.000 persona, fatkeqësisht kemi pasur rastin të kemi një festival me mbi 40.000 persona, mirëpo hapësirën e kemi të kufizuar, është edicioni më i madh deri më tani”, tha ai.

Ai ka përsëritur se nuk është i kënaqur që ky festival po mbahet në parkun “Gërmia”

Lipa: Gërmia nuk ka qenë dëshira jonë që të mbajmë festivalin këtë vit

‘Gërmia’ nuk ka qenë dëshira jonë që të mbajmë festivalin këtë vit aty. Sepse, përpos që është parku i qytetit është edhe hapësira më e vështirë për t’u organizuar një festival i përmasave të tilla. Pa ndihmën e policisë do të ishte e pamundur. Për krejt ata që kanë mendimin që të vijnë në festival, është hapësira më e ruajtur dhe më e sigurt në rajon për katër ditët e ardhshme”, ka thënë Lipa.

Lipa pati edhe disa kritika për politikën, për çka i fajësoi për mos përmbushje të premtimeve.

Lipa: Problemi është te politika

“Politika i ka, problemi është te politika sepse nuk i përmbushin premtimet, fatkeqësisht. Shumicën e seneve në politikë i bëjnë sa për sy e faqe për të dalë mirë në deklarime”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë, është nënshkruar edhe marrëveshja mes kryetarit të kryeqytetit, Duas dhe Dukagjin Lipës për ndërtimin e Sunny Hill Foundation.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeqyteti, përkundër kufizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, është kthyer në qendër kreative e inovative.

Rama: Do të bëjmë çmos që të ndihmojmë këtë proces

“Ne si kryeqytet do të bëjmë çmos që të ndihmojmë këtë proces edhe kam kënaqësinë t’ju tregojë që së bashku Sunny Hill Foundation vetëm se i kemi vizituar zonën e tulltores…. Tash do të aktivizohet si rezultat i Sunny Hill Foundation, kemi qenë së bashku me Dugin dhe kemi biseduar që të transformohen disa pjesë në vende. Ku Sunny Hill Foundation do të ketë mundësinë për të trajnuar numër të madh në aspekte të ndryshme”, ka njoftuar kryetari Rama.

Festivali “Sunny Hill” do të zgjas katër ditë dhe ky është edicioni i tretë që mbahet në Prishtinë.

/TV Malisheva

Share.