Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara njoftoi të premten se do ta pezullojë përkohësisht shërbimin e ofrimit të vizave në misionet në Turqi për shkak të raporteve të besueshme për sulme të mundshme terroriste dhe rrëmbime të qytetarëve amerikanë në Stamboll.

“Misioni i ShBA-së në Turqi ka pranuar raporte kredibile për sulme të mundshme terroriste dhe rrëmbime të qytetarëve amerikanë dhe të huajve në Stamboll, përfshirë ato kundër Konsullatës së Përgjithshme të ShBA-së si dhe në lokacione tjera në Turqi”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara tha se deklarata është publikuar pas një vlerësimi të vzhdueshëm të kushteve të sigurisë në Turqi, shkruan Reuters.

Më 1 janar 2017, një sulmues i kishte vrarë 39 persona në një klub nate në Stamboll. Përgjegjësinë për sulmin e tmerrshëm e kishte marrë i ashtuquajturi Shtet Islamik.

Ky ishte vetëm një nga sulmet e kryera nga militantët, me ç’rast dhjetëra persona në Stamboll dhe në qytete tjera janë vrarë viteve të fundit.

Prej kohës së këtij sulmi, autoritetet turke e kanë nisur fushatën e përndjekjes dhe shtypjes së anëtarëve të dyshuar të ISIS-it dhe militantëve kurdë.

Policia ka kryer shumë operacione kërkimi në mbarë vendin, duke arrestuar qindra persona. /TV Malisheva

Share.