E ftuara e radhës në Cult ishte Valentina Gara – menaxhere për marrëdhënie me publikun në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Valentina përveç punës në Aeroport, i pëlqen edhe të shkruajë.
Libri, i cili u botua së fundi, është një libër për fëmijë në gjuhën angleze.
Gara: Në librin e dytë janë përfshirë shkronjat e alfabetit në gjuhën angleze
“Në fakt edhe një libër para këtij e kam pasur “Buburreci në ditëlindje” ka qenë në gjuhën shqipe me ilustrime. Atëherë nuk kam qenë nënë, zakonisht më ka pëlqyer literatura për fëmijë apo librat për fëmijë të vegjël. Është një libër që 50% ka poezi, ndërsa 50% është ilustrime dhe e merr vëmendjen e fëmijëve më shumë sesa një libër i zakonshëm. Librin e dytë e kam në gjuhën angleze, ku janë të përfshira të gjitha shkronjat e alfabetit në gjuhën angleze, dhe për secilën shkronjë ka ndonjë kafshë apo shpezë, që do ta ilustronte atë poezi, ka pak edhe pjesë komikë në ato ilustrime që të jetë sa më atraktive për fëmijët e vegjël”, tha Gara.
Valentina ka 15 vite që punon në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Ajo tregon se edhe pas 15 viteve tjera nuk do të dëshironte të ketë ndonjë ndryshim të punës.
Gara: Punën time e bëj me shume pasion, nuk dua të ndryshoj asgjë
“Sa i përket punës apo pozitës të cilën e mbaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, është një punë mjaft atraktive, kam të bëjë më publikun apo me marrëdhënie me jashtë. Zakonisht puna ime është lidhur me media, me gazetarë të ndryshëm. Për mua është një punë të cilën e bëj me shume pasion, është një punë mjaft atraktive. Edhe pse kam rreth 15 vite përvojë në këtë profesion apo në të njëjtin vend pune në aeroport, besoj që edhe pas 15 vite nuk kisha dashur të bëj ndonjë ndryshim të madh apo të dal prej kontaktit me publikun edhe me gazetarët”, shprehet Gara.
Valentina tregon se koha e festave sjell një fluks të madh të udhëtarëve që vijnë për pushime.
Por ndryshe nga viti i kaluar kur numri i udhëtarëve ka qenë 2 milionë ku është arritur rreth datës 2 dhjetor, këtë viti kjo shifër është arritur në muajin tetor.
Gara: Fluksi i udhëtarëve në ANP rritet deri pas datës 15 janar
“Ne vazhdimisht kemi pasur këtë vit rritje, kryesisht gjatë verës dhe festave ku pjesa dërmuese e udhëtarëve janë diaspora apo bashkatdhetarët tanë, të cilët udhëtojnë jashtë, kështu që zakonisht numri i udhëtarëve rritet gjatë festave ndërkombëtare. Sa i përket festave të fundvitit, ndoshta pushimet janë dikur nga data 20 apo 22 dhjetor në shtetet si Gjermania, Zvicra e këto para Kërshëndellave, kështu që fluksi i udhëtarëve rritet deri diku pas datës 15 janar i vazhdojnë pushimet më pas. Kemi një normalizim sa i përket udhëtimeve apo numrit të udhëtarëve. Vitin e kaluar udhëtarin e dy-milionët e kemi arritur më datë 2 dhjetor ndërsa këtë vit këtë numër e kemi arritur në muajin tetor, kështu që presim të kemi diku rreth 2 milionë e 300 mijë udhëtarë ndoshta më pak ose më shumë”, tha Gara.
E problem i mjegullës po vazhdon të jetë shqetësim edhe këtë vit për aeroportin, por nga viti tjetër pritet që ky problem të marrë fund.
Valentina tregon se janë duke u bërë investime në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe nga viti i ardhshëm nuk do të ketë probleme të anulimeve të aterrimeve.
Gara: Nga viti i ardhshëm nuk do të ketë probleme të anulimeve të aterrimeve
“Problemi i mjegullës është një problem i vazhdueshëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, meqenëse jemi në një lokacion, i cili ka më së shumti mjegull në Kosovë. Aeroporti fillimisht ka qenë i ndërtuar për fluturime ushtarake, më pas është bërë për fluturime komerciale, prandaj atëherë nuk ka pasur edhe shumë rëndësi moti me mjegull se ndoshta ka qenë edhe më i disponueshëm për ta. Ne kemi mjaft anulime të fluturimeve viteve të fundit për shkak të mjegullës apo kemi vonesa të cilat përpos që ndikojnë në biznesit tonë, ato ndikojnë edhe në kënaqshmërinë e udhëtarëve pasi ata do të maltretohen. Ne jemi duke bërë investime në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, po ashtu në kapacitetin e ndriçimit, besojmë se kjo do të përfundojë para vitit të ardhshëm të kësaj kohe, kështu që në vitin e ardhshëm besoj nuk do të kemi asnjë pengesë sa i përket motit me mjegull”, tha Gara/ Tv Malisheva/