Shteti i Kosovës do të obligohet që t’ia paguajë afër 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane ‘ContourGlobal’ pasi ka humbur rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Nga burime të afërta me zyrtarë qeveritarë, ka marrë vesh se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për rastin është marrë gjatë kësaj jave, por nuk është publikuar ende.

Vendimi pritet të publikohet brenda ditëve të ardhshme, raporton Paparaci.

Siç ka marrë vesh Paparaci, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e ka shpallur si të bazuar padinë e kompanisë ‘ControurGlobal’ kundër Kosovës.

Në fund të vitit 2017, ‘ContourGlobal’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave në një afat të caktuar kohor, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

Kësisoj, pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në muajin mars të vitit 2020. Disa ditë më vonë, njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës.

Në Arbitrazhin Ndërkombëtar, ContourGlobal kërkoi dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Sipas marrëveshjes së vitit 2017, parashihej ndërtimi i termocentralit me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro. Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohej të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihej në punë në vitin 2023.

Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” ishte llogaritur të jetë 40 vjet.

Termocentralit “Kosova e Re” ishte kundërshtuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet herë pas here me mungesë të energjisë elektrike.

/TV Malisheva

Share.