Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar të prezantojë “të arriturat” e qeverisjes gati trivjeçare, në faqen e tij në Facebook. Sinte radha ishte energjia elektrike, të cilën Kurti e vlerësoi se është siguri kombëtare.
Kurti kujtoi dimrin e vitit 2021, për të cilin tha se rikujtoi në mënyrën më brutale brishtësinë energjetike, teksa shtoi se kapacitet prodhuese të Kosovës janë të kufizuara e i përkasin shekullit të kaluar.
“Kurse konsumi i energjisë është rritur në vazhdimësi. Dallimi duhet të plotësohet me import të energjisë. Por importi është shumë i shtrenjtë. Veçanërisht gjatë dimrit. Veçanërisht në ekonominë post-pandemike dhe pas agresionit rus në Ukrainë”.
“Këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë. Fillimisht ndamë 120 milionë euro për të siguruar furnizim të rregullt me rrymë dhe për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset nga rritja e çmimit të energjisë, të shkaktuar nga kriza energjetike”.
Më tej, kreu i qeverisë tha se zgjidhja që kanë zgjedhur siguron se në të ardhmen, Kosova do të ketë shumë prodhim, sidomos nga burime të ripërtërishme dhe më pak shpenzim të rrymës por edhe pavarësi më të madhe nga importi.
Kurti tha se qeveria po investon edhe tetë milionë euro në infrastrukturën dhe zhvillimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.
“Drejt të ardhmes, për të cilën po investojmë sot”, përfundon postimi i mbrëmjes i Kurtit.
/TV Malisheva