Presidenti francez, Emmanuel Macron vizitoi vendngjarjen pas sulmit vdekjeprurës me thikë ndaj një mësuesi të historisë në afërsi të Parisit. Ai dënoi aktin dhe i shpalli luftë terroristëve

Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh i tronditur pas sulmit vdekjeprurës në Conflans-Sainte-Honorine, një periferi e Parisit. Të premten në orët e pasdites, një i ri goditi dhe vrau me thikë me prerje fyti një mësues historie. Në disa media u raportua për “prerje koke”.

„Sulm ndaj lirisë së mendimit”

Emmanuel Macron e cilësoi sulmin “një akt terrorist islamist”. Pas vizitës në vendngjarje ai tha: “Një nga bashkëqytetarët tanë u vra, sepse ai u mësoi nxënësve lirinë e shprehjes së mendimit, lirinë për të besuar dhe për të mosbesuar.” Me këtë Macron iu referua informacioneve, sipas të cilave, viktima ishte një mësues i historisë dhe në orën e mësimit gjatë trajtimit të temës së “lirisë së mendimit” kishte treguar karikaturat e profetit Mohamed. Disa media raportuan, se autori i krimit ishte një nxënës 18-vjeçar, i cili e priti mësuesin pas mësimit dhe e vrau me thikë.

Arrestimet e para

Sipas të dhënave, krimineli pas aktit lëshoi thirrjen arabisht “Zoti është i madh”. Nuk ka konfirmim zyrtar për këto të dhëna. Në afërsi të Eragny, autori i krimit u kap nga policia. Sipas mediave, i riu u përpoq të sulmonte edhe policët, që e qëlluan më pas për vdekje

Frankreich Paris | Gewalttat | Mann enthauptet (Abdulmonam Eassa/AFP)

Prokuria Antiterror ka filluar hetimet për “vrasje në lidhje me një akt terrorist” dhe “organizatë terroriste kriminale”. Macron nuk përmendi detaje për aktin, as për viktimën dhe sulmuesin. Presidenti dukshëm i tronditur, tha vetëm se “terroristët nuk do të fitojnë”, dhe i siguroi francezët, që autoritetet e sigurisë do të “veprojnë “fort dhe shpejt”. Macron u bëri thirrje francezëve të qëndrojnë të bashkuar. Prej vitesh Franca është tronditur nga disa sulme terroriste, ku kanë humbur jetën më shumë se 250 vetë/DW

Share.