Kuvendi miratoi sot me 93 vota pro dhe 2 kundër një ndryshim në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Kuvendi miratoi me 95 vota pro dhe 3 vota kundër ndryshimet në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

Me 97 vota pro dhe 2 kundër, Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi””.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku u diskutuan ligjet e paketës së reformës së pagave tha se, kur kjo mazhorancë ka marrë drejtimin e vendit paga mesatare ishte 259 euro, ndërsa në prillin e vitit që vjen do të shkojë 900 euro.

“Është koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk mbaron këtu, por këtu ndalojmë një moment për të vlerësuar faktin”, tha Rama.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur në fjalën e saj në Kuvend, gjatë seancës së sotme se reforma e pagave në administratë krijon kushtet e duhura për ta bërë administratën konkurruese.

“Synojmë të përmirësojmë hierarkinë, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Realizojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse me pagën. Po japim një pagë më të mirë për pozicionet e punës dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë”, tha ajo.

Ministrja bëri të ditur se, kjo reformë mundëson që për çdo dy lekë që mblidhen në buxhet, nga tatimet dhe taksat, një lek shkon për transferta direkte te qytetarët.

Paga bruto e Presidentit nga 257 mijë lekë aktualisht, shkon në 425 mijë lekë ose 65.3 % më shumë. Mjekut specialist i shkon paga bruto 174 mijë lekë ose 115 mijë lekë në muaj më shumë se në 2013-ën, mjekut të përgjithshëm i shkon paga 137 mijë lekë, ose 77 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, infermierit i shkon paga në 87 mijë lekë, ose 25 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, mësuesit në arsim parauniversitar i shkon paga 99 mijë lekë, ose 40 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Në Policinë e Shtetit, paga e një komisari shkon 105 mijë lekë, ose 36 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Ndërsa inspektori i parë i Policisë së Shtetit do të përfitojë një pagë prej 90 mijë lekësh në muaj, ose 37 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, shkruan ATSh.

Paketa e ligjeve të reformës së pagave përfshin edhe amendimet e propozuara nga deputetët e komisionit të Ekonomisë dhe Financave për ndryshimin e indeksit të pagave për deputetët dhe ministrat.

Në draftin fillestar qeveria propozoi që paga e deputetëve të jetë sa 36 % e pagës së Presidentit, ndërsa Komisioni miratoi që paga për deputetët të jetë sa 73 % e pagës së Presidentit, ndërsa paga për ministrat të jetë sa 75 % e pagës së Presidentit.

/TV Malisheva

Share.