Rreth 25 për qind e bizneseve familjare në Gjermani mund t’i përgjigjen rritjes së kostove të energjisë duke pushuar nga puna punonjësit, ndërsa 90 për qind ka të ngjarë të reagojnë duke rritur çmimet, dhe disa tashmë po zbatojnë vendime të tilla.

Këto janë rezultatet e hulumtimit të Fondacionit për Biznese Familjare, i cili është realizuar në shtator nga Instituti për Kërkime Ekonomike IFO nga Mynihu, bazuar në një anketë në të cilën kanë marrë pjesë 1060 kompani, shumica e të cilave janë biznese familjare.

Në sondazhin e mëparshëm të muajit prill të këtij fondacioni, vetëm 14 për qind e kompanive deklaruan se po planifikonin pushime nga puna.

Përveç kësaj, rezultatet e anketës së re tregojnë se 13 për qind e kompanive tani presin gjithashtu të ndalojnë prodhimin, krahasuar me gjashtë për qind që kishin pritshmëri të tilla në prill.

9 për qind e kompanive aktualisht merren me lëvizjen e prodhimit jashtë vendit, krahasuar me 6 për qind në anketën e mëparshme.

Sipas këtij studimi, kompanitë janë të pakënaqura me politikat e menaxhimit të krizave dhe kërkojnë subvencionimin e investimeve private në efiçencën e energjisë apo burimet e rinovueshme të energjisë.

Bizneset familjare janë lloji më i përhapur i biznesit në Gjermani. Më shumë se 90 për qind e të gjitha kompanive janë në pronësi familjare, me një pjesë prej 58 për qind të totalit të vendeve të punës në Gjermani – që konsiderohet një faktor stabilizues për tregun e punës në kohë krize ekonomike.

 

Share.