Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dje ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Odës Ekonomike Kosovë-Izrael, Robert Muharremi.

Marrëveshja parasheh bashkëpunimin e dy odave në projekte të ndryshme si dhe angazhimin e përbashkët në afrimin e bizneseve të dy vendeve, thuhet në një komunikatë për media.

“Marrëveshja parasheh harmonizim të projekteve mes dy odave si dhe bashkërendim të aktiviteteve. E tërë kjo bëhet me qëllim që bizneset e dy vendeve tona të afrohen me njëra tjetrën dhe të inkurajohet bashkëpunimi i dy ekonomive”, u shpreh Rafuna.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ishin prezent edhe Skender Hyseni, kryetar i Asamblesë së Odës Ekonomike Kosovë-Izrael, si dhe ambasadorja e Izraelit për Kosovën, Tammy Ziv. Ambasadorja Ziv, kryetari Hyseni si dhe kryetari Muharremi u shprehën të gëzuar për hapat e ndërmarrë për të inkurajuar thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe u zotuan se do të angazhohen për të sjellë në Kosovë investitorë nga Izraeli./TV Malisheva

Share.