Koordinatori i Departamentit për Financa në qeverinë nën hije të PDK-së, Arben Mustafa ka thënë se qeveria Kurti po paraqitet që “kinse” në Kosovë ka “boom ekonomik”.

Në konferencë për media, derisa ka folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, ai tha se sfida më e madhe janë çmimet e larta. Ai tha se kërkojnë që qeveria të ndërmarrë hapa që të ofrojë siguri ekonomike qytetarëve.

“Ky projektbuxhet në asnjë mënyrë nuk tregon se si qeveria do t’i përgjigjet sfidave të reja ekonomike. Projektbuxheti në asnjë mënyrë nuk tregon një strategji për zhvillim ekonomik afatgjatë. Në pothuajse të gjithë faktorët vërehet një shkëputje e madhe që kanë dhënë krerët për reforma”, tha ai.

Sipas tij, kjo qeveri do të mbahet mend për shpenzime enorme me efekte afatshkurtra.

“Është evidente një qasje për t’u krenuar me shifra, këto janë deklarata boshe dhe populliste. Buxheti i këtij viti po rezulton më i lartë, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve. Parashikimi i të hyrave është jo realist dhe jo i besueshëm”, shtoi ai.

Më tej, ai shtoi se PDK po kërkon që qeveria tu dalë në ndihmë qytetarëve.

Siç tha ai, zgjidhje e qëndrueshme është rritja e pagave e pensioneve./TV Malisheva

 

Share.