Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Hong Kong dhe në këtë vend me popullsi të dendur, rrugët, qendrat tregtare dhe stacionet e metrosë janë nën ujë.

Hong Kongu regjistroi të enjten sasinë më të madhe të reshjeve në një periudhë prej një ore në 140 vjetët e fundit që kur janë bërë matjet, raporton CNN.

Observatori i Hong Kongut raportoi 158 milimetra reshje shiu midis orës 23:00 dhe mesnatës të së enjtes me orën lokale.

Byroja e Meteorologjisë lëshoi paralajmërimin se do të ketë stuhi të fuqishme ndërsa njoftoi se më shumë se 200 milimetra shi ishin regjistruar që nga mbrëmja e së enjtes.

Të gjitha shkollat janë mbyllur sot për shkak të “kushteve ekstreme të shkaktuara nga përmbytjet e mëdha dhe shqetësime të rënda në qarkullim”, njoftoi pushteti vendor dhe u bëri thirrje punëdhënësve që të organizojnë punën në përputhje me situatën e re.

Kushtet ekstreme pritet të vazhdojnë të paktën deri në mes të ditës së sotme.

U njoftua se tregu i aksioneve në Hong Kong nuk do të jetë i hapur nga mëngjesi i kësaj të premteje, nëse paralajmërimi për stuhinë e zezë është ende në fuqi në orën 9:00, sipas orës lokale.

/TV Malisheva

Share.