Shtëpia e Bardhë përshëndeti lirimin e pengjeve të Hamasit gjatë fundjavës dhe zgjatjen dy ditore të armëpushimit, me shpresën se brenda kësaj periudhe edhe 20 të rrëmbyer të tjerë do të lirohen dhe do t’iu bashkohen familjeve të tyre.

“Dëshirojmë që armëpushimit të zgjatet edhe më shumë deri në lirimin e të gjitha pengjeve. Ky është qëllimi, që të gjitha pengjet t’u kthehen familjeve të tyre, pavarësisht sa kohë duhet,” deklaroi zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.

Njerëzit në dy anët e kufirit të tensionuar festuan këmbimin e të burgosurve të mbajtur në Izrael dhe pengjeve të rrëmbyera nga grupi militant Hamas gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.

Ministri i jashtëm i Autoritetit Palestinez Riad al-Maliki, përshëndeti pauzën në luftime nga Spanja, ku ishte pjesëmarrës në takimin e Unionit të Mesdheut.

“Çdo sulm izraelit tani do të vrasë dyfishin e fëmijëve. Prandaj, për ne është shumë e rëndësishme të provojmë dhe të zgjasim armëpushimin sa më shumë që të jetë e mundur,” tha ministri al-Maliki.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërkohë që përshëndeti lirimin e pengjeve, përsëriti synimin e tij kryesor.

“Nuk kemi hequr dorë nga qëllimi ynë kryesor – lirimi i të gjitha pengjeve, eliminimi i Hamasit dhe natyrisht, të sigurohemi që ky kërcënim nuk do të përsëritet më në Gazë,” tha zoti Netanyahu.

Analistët thonë se pauza e mirëpritur nga të gjithë vështirë se do t’i japë fund këtij konflikti të komplikuar dhe ekzistencial për të dyja palët.

“Ekzistojnë dy probleme. Synimi afatgjatë i luftës synon shkatërrimin e Hamasit – sigurisht nuk është realiste të pritet eliminimi i të gjithë të pjesëtarëve të grupit apo kapacitetit e ideve të tij, por udhëheqja e tij duhet të mënjanohet. Mundësia që Hamasi të sundojë Gazën duhet të mënjanohet dhe nuk po shoh se ka ndonjë ndryshim në këtë aspekt si rezultat i pauzës së luftimeve,” tha analisti Michael O’Halon nga Instituti Brookings.

Presidenti Joe Biden mirëpriti lirimin e Abigail Edan-it, shtetësja e vetme amerikane që u lirua nga Hamasi gjatë fundjavës.

“Një vajzë e vogël e quajtur Abigail, që sapo i mbushi 4 vjeç, e kaloi ditëlindjen e saj, dhe 50 ditë të tjera si peng i Hamasit. Sot, ajo është e lirë. Unë së bashku me (gruan time) Jill dhe shumë amerikanë të tjerë po lutemi që ajo të ketë një të ardhme të mirë,” tha ai.

Përmes një deklarate, Presidenti Biden njoftoi se kishte biseduar me familjen e Abigail-it pas lirimit të saj dhe ise shte betuar që “nuk do të pushonte derisa të gjitha pengjet e mbajtura nga terroristët e Hamasit të lirohen.”

Derisa dy palët po marrin frymë pas shtatë javë lufte, bota po shikon se çfarë do të ndodhë më tej./VOA

/TV Malisheva

Share.