Të gjithëve na kujtohet samiti i sigurisë së BE në Granada të Spanjës. Kjo ngjarje po mbahej pak ditë pas sulmit paramilitar të grupeve terroriste nga Serbia në pjesën veriore të vendit. Kosovën e përfaqësonte Vjosa Osmani në këtë takim të liderëve evropianë.
Ndërkohë, Albin Kurti i izoluar dhe sanksionuar ndërkombëtarisht qëndronte në shtëpi.
E para defilonte në teatrin e politikës së madhe, kurse i dyti me menaxhim të çështjeve të brendshme. Mbase, duke jetuar botën e tij të pamundësive, ndërmjet vokacionit ideologjik universal dhe izolimit lokal. Një situatë ideale kjo e “kauzave feministë”. Që gratë të merren me politikë, kurse burrat me shtëpinë.
Mirëpo, ky rend ideal “post-historik” i “barazisë gjinore” nuk pat jetë të gjatë . U përmbys sa hap e mbyll sytë. Dhe atë në samitin e BE-së në Bruksel në takimin ndërmjet liderëve evropianë dhe Albin Kurtit. Brenda atyre 20 minutave u vendos gjithçka. Madje në këtë hark “magjik” kohor ndodhi edhe përmbysja e kësaj “barazie gjinore” Me pranimin e draft-statutit të Asociacionit nga ana Kryeministrit të Kosovës u ndërruan edhe këto role “gjinore” në mes këtij “tandemi” politik.
Kështu, Albin Kurti e rifitoi relevancën e humbur ndërkombëtare. Befasisht dhe si me mrekulli u shndërrua ne lider të paqes. Parisi është vetëm njëra nga shenjat e kësaj metamorfoze “mitike”. Tashmë ai i mori në dorë edhe një herë çështjet e mëdha të politikës, aty ku flitet për paqen, luftën, sigurinë dhe demokracinë globale. Kurse Vjosës nuk i mbeti tjetër, pos që me ish-shefin e saj të marrin pjesë në ceremoninë mortore të ish-presidentit të Finlandës Marti Ahtisari, dhe njërit prej ish-diplomatëve me meritor për pavarësinë e Kosovës.
E gjatë rrugës deri në shtetin skandinav mbase kanë pasur shumëçka të bisedojnë. Sidomos kanë kujtuar kohën se si përfundoi karriera e të parit si shkelës i kushtetutës për arsye politike. Fat ky që mund ta ndjek si “mallkim” edhe presidenten aktuale. Por kuptohet nëse opozita ka guxim ta adresojë këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese.
/TV Malisheva

Share.