Spanja, Portugalia dhe Franca njoftuan sot se do të ndërtojnë një tubacion nënujor gazi për transferimin e hidrogjenit dhe gazit ndërmjet Barcelonës dhe Marsejës.

Kryeministri portugez Antonio Costa tha se rruga BarMar, do të përdoret kryesisht për të pompuar hidrogjen të gjelbër dhe gazra të tjerë të rinovueshëm, por gjithashtu do të lejojë përkohësisht transportin e një “sasie të kufizuar” gazi natyror për të lehtësuar krizën energjetike të Evropës.

“Tubacioni është një përgjigje ndaj thirrjeve për solidaritet nga partnerët tanë evropianë përballë shantazhit të presidentit rus Vladimir Putin,” u tha gazetarëve në Bruksel kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ku tre liderët u takuan sot.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “është e domosdoshme që Evropa të mbetet e bashkuar”.

BarMar zgjidh një përplasje midis Spanjës dhe Portugalisë, e cila dëshironte të zgjeronte tubacionin MidCat në mënyrë që ata të mund të shesin gaz në Evropën Qendrore, dhe Francës, e cila argumentoi se ndërtimi i tubacionit do të merrte shumë kohë për të zgjidhur çështjet afatshkurtra të furnizimit.

Spanja dhe Franca ranë dakord gjithashtu të përshpejtojnë ndërlidhjen e energjisë elektrike përmes Gjirit Biscay dhe të identifikojnë dhe punojnë në lidhje të tjera midis dy rrjeteve kombëtare, sipas një deklarate të përbashkët.

Udhëheqësit e tri vendeve ranë dakord të takohen përsëri në Alicante (Spanjë), më 9 dhjetor për të vendosur mbi një afat kohor ndërtimi dhe mënyrën e financimit të tij.

 

Share.