Paga minimale vazhdon të mbetet ende 130-170 euro. Përkundër premtimit të Qeverisë së Kosovës për rritje të pagës mininale, ky projektligj po vazhdon të zvarritet qe një vit nga pushteti. Kështu vlerësojnë deputetët opozitarë. LDK kërkon që paga minimale të kthehet prapa me arsyetimin se është jashtë kontekstit ekonomik e social në vend. Ndërsa, AAK konsideron se qeveria po dështon t’i miratojë ligjet që nuk i konvenojnë.

Projektligji për pagën minimale në lexim të dytë ka kaluar ne Komisionin për Buxhet javën që shkoi, mirëpo pushteti ende ka mëdyshje nëse do të procedohet si i tillë projektligji në seancë apo mund të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës. Ndërkaq, njohësit e ekonomisë konsiderojnë se është e rëndësishme mënyra se si vjen te paga minimale, sipas tyre duhet të shikohet mundësia për rritjes së shumës nga ajo që është prezantuar.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së kryesisë së të hënës deklaroi se projektligji për pagën minimale në lexim të dytë ka kaluar në Komisionin për Buxhet javën që shkoi, mirëpo ka theksoi se mbetet me një vendim të qeverisë se a do të procedohet si i tillë projektligji në seancë apo mund të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës.

Se Ligji duhet të tërhiqet prapa e thotë edhe deputeti nga LDK, Avdullah Hoti. Sipas tij, Ligji është diskutuar më shumë se një vit përpara se të hyjë në krizën e rritjes së çmimeve, me ç’rast, thotë se edhe paga minimale që kanë propozuar është jashtë kontekstit ekonomik dhe social në vend.

Hoti kërkon që në diskutim duhet të përfshihen të gjitha kategoritë që marrin pensionet e tyre lidhen me pagën minimale.

Ndërkq, deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj thotë se kjo qeveri ka dështuar sa i përket miratimit të ligjeve. Sipas tij, qeveria e ka humbur arsyen për të qenë në qeverisje dhe sa më e para që shkon aq më mirë është për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, njohësit e ekonomisë bëjnë thirrje qeverisë që t’i bëjnë gjithë parametrat e nevojshëm për pagën minimale. Sipas tyre, krahasim me krizën e inflacionit në vend, paga e propozuar nuk është e mjaftueshme.

Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdiaj thotë se për punëtorët edhe 250 euro sot nuk është e mjaftueshme, nëse merret parasysh rritja e çmimeve dhe kostot e jetesës në vend.

Se Ligji i pagës minimale duhet të rritet e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna.

Kujtojmë që, Kuvendi i Kosovës më 14 qershor të vitit të kaluar ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale. Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

/TV Malisheva

Share.