Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot një forum virtual me ministrin e Infrastrukturës Arban Abrashi, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë e zhvillimit ekonomik përmes projekteve infrastrukturore të cilat rrisin cilësinë e jetesës, numrin e të punësuarve dhe njëherësh ndikojnë pozitivisht në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Drejtori ekzekutiv i OEA në Kosovë, Arian Zeka, theksoi rëndësinë që ka Ministria e Infrastrukturës për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos gjatë fazës së rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19, përmes krijimit të vendeve të punës dhe efekteve të tjera multiplikative.

Ndërsa, ministri Abrashi theksoi se Ministria e Infrastrukturës do të ndihmojë zhvillimin ekonomik duke investuar në infrastrukturën dhe transportin rrugor dhe ajror, linjat hekurudhore, dhe largimin e burokracive që pengojnë zhvillimin e projekteve tashmë të kontraktuara, siç është çështja e shpronësimit.

Ai gjithashtu tha se me prioritet po trajtohet zgjerimi i rrugëve dhe ndërtimi i segmenteve për kyçje në autostrada, duke synuar evitimin e mbingarkimit të rrugëve nacionale.

Sipas ministrit Abrashi, ekzistojnë pesë projekte madhore infrastrukturore të cilat do të kishin efekt mjaft pozitiv në ekonominë e vendit, që do të prezantohen në SHBA në shtator.

Ai shtoi se këto projekte, në veçanti ai për autostradën Trudë – Merdare – Nish, tashmë kanë tërhequr interesim nga institucione financiare amerikane si dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe do të implementohen në momentin e finalizimit të planit ndërtimor.

Sa i përket transportit ajror, ai tha se është bërë kërkesë për uljen prej 30% të taksave të aeroportit të Prishtinës, në mënyrë që ai të jetë konkurrues me aeroportet e tjera të regjionit.

Abrashi theksoi se ekziston ideja për subvencionimet e një përqindjeje të çmimit të biletave për udhëtarë, duke ndikuar kështu zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.

Ai potencoi se po trajtohet kërkesa për të lidhur një marrëveshje të mirëkuptimit për stacionimin e aeroplanëve të kompanisë ‘Lufthansa’ në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa theksoi se kërkesa të tilla kanë pranuar edhe nga kompani të tjera ndërkombëtare.

Sa i përket hekurudhave, ministri Abrashi përmendi se për momentin po bisedohet për një lidhje hekurudhore Kosovë-Shqipëri, e cila ka potencial të sjellë të hyra të shumta për buxhetin vendor në një periudhë afatmesme.

Sipas tij, po punohet që Kosova të anëtarësohet në institucione të huaja relevante që trajtojnë nevojat e transportuesve në mënyrë që të krijohen lehtësira për zhvillimin e veprimtarive të këtij sektori me ndikim mjaft të pozitiv në ekonomi./Tv Malisheva

Share.