Shoqata e Bankave të Kosovës, ka reaguar ndaj sulmit që ndodhi mëngjesin e sotëm në bankën “Raiffeisen Bank” në komunën e Ferizajit, sulm ky që u përcoll me eksploziv.
“Shoqata e Bankave të Kosovës dënon sulmin kriminal të grupeve të armatosura me lëndë eksplozive të shkaktuar në mëngjesin e sotëm të datës 17.10.2020 ndaj njërës nga bankat komerciale në qytetin e Ferizajt”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj Shoqate këto sulme kanë për qëllim fuqizimin e grupeve kriminale në Kosovë dhe rrënimin e rendit dhe ligjit në vendin tonë duke kërkuar që të gjejnë një hapësirë në Kosovë për të shtrirë veprimtarinë e tyre kriminale.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Këshilli i Investitorëve Evropian në Kosovë, i cili ka dënuar rënd sulmin vulgar të shkaktuar në orët e hershme të mëngjesit ndaj degës së Raiffaisen Bank Kosova, në Ferizaj. Sipas njoftimeve nga autoritetet banka është dëmtuar me mjete plasëse dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Veprimet e tilla të dhunshme ndaj investitorëve të huaj, nga kushdo që bëhen përveç se veprime kriminale janë kërcenim direkt për zhvillimin ekonomik të vendit, cenojnë rendin dhe ligjin dhe si të tilla janë të dënueshme.
Këshilli i Investitorëve Evropian u bënë thirrje autoriteteve të vendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme që akterët e këtij sulmi të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
“Raiffaisen Bank është investitor lider në sektorin bankar në vend, duke kontribuar kështu në stabilitetin financiar dhe zhvillimin ekonomik. Mbështetjen e iniciativave biznesore dhe krijimin e standardeve me të mira të të bërit biznes në vend:, thuhet në reagimin e Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë. /TV Malisheva