Mbi 90 persona janë liruar sot në mëngjes nga qëndrimi në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Pas 14 ditësh izolimi në këtë vend, personat të cilët kishin ardhur në Kosovë pas qëndrimit në Gjermani, janë testuar për COVID-19 dhe kanë rezultuar negativ. Të njëjtit do të vazhdojnë vetizolimin në shtëpitë e tyre.

Shyhrete Morina nga Suhareka ka tash e 18 ditë që qëndron e izoluar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Ajo kishte udhëtuar në Gjermani, dhe pas kthimit në Kosovë, edhe me shumë persona të tjerë, ishin izoluar në këtë vend, për shkak të rrezikut të përhapjes së korona virusit.

Morina tregon se nuk janë këshilluar se si të veprojnë pas lirimit, derisa shton se kushtet nuk kanë qenë të mira.

Morina: Nuk ka siguri këtu, duhet ta ruash vetën

 

“Unë nuk kam pasur, shumica kanë thënë që i kena thirr, ka tri-katër orë nuk kanë ardh. Unë nuk kam pas nevojë…Ne kemi qenë në katin e parë, konvikti numër 8, nuk kemi dalur as në korridor, shumica lartë kanë dalur. Kur kemi ardhur tri ditët e para, bukën e kemi marrë krejt me një vend, tani nëpër dhoma. Siguri nëse e ruan vetën, që jo, krejt varet prej vetës nëse donë me ruajt vetën po, se përndryshe”, thotë ajo.

Para lirimit, ajo e 94 persona të tjerë kanë plotësuar një formularë, ku ndër të tjera për dy javë në deklarohen edhe për vetë izolim në shtëpi.

E Zarife Mehmeti nga Prishtina, tregon se kishte qenë në vizitë tek familjarët në Gjermani bashkë me nipin e saj. Ajo tregon se pas testit që ua kanë bërë kanë rezultuar negativë. Mehmeti po ashtu tregon se si kanë qenë kushtet gjatë kohës sa kanë qëndruar në konvikte.

Mehmeti: Nuk më thanë asgjë

 

“Po vallahi, boll mirë, ushqimi i mirë, dhoma e mirë, mbuloja e mirë, gjithçka e mirë…Kam qenë me nipin…kurrgjë nuk më thanë”, thotë ajo.

Fehmi Sallaj i cili jeton në Prizren, thotë se qëndrimi për 14 ditë në izolim, ka qenë i mërzitshëm për të.

Sallaj: Jam mërzit për familje

 

“Shërbimi ka qenë i mirë… jam mërzit për familje, edhe për atje kemi qëndruar tre muaj, tash këtu dy javë…mirë të sigurtë kemi qenë”, deklaroi ai.

Në karantinën e Qendrës së Studentëve janë mbi 500 persona të izoluar, ku sot pritet të lirohen 95 persona, si dhe ditëve në vijim edhe të tjerë, pasi IKSHPK të ketë bërë testimin e tyre sipas radhës.

Gjatë ditës së djeshme nga 36 testime, 35 persona kanë rezultuar negativ, ndërsa një person tjetër ka dalë pozitiv. Personi që ka rezultuar si i infektuar me korona virus është dërguar në Klinikën Infektive bashkë më personin tjetër që ka qëndruar në dhomë gjatë kohës së karantinimit.

Share.