Një thirrje e punëtorëve të kompanive të taksive në kryeqytet për protestë, ka shtyrë kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, të vizitojë të gjitha kompanitë dhe punëtorët e radio taksive të Prishtinës.

Pasi i vizitoi, Azemi tha se kanë konstatuar se në përgjithësi këta punëtorë kanë kushte të mira dhe se nuk ka arsye për protestë.

Azemi: Rrespektimi i të drejtave nuk është në nivelin e duhur, por jo në atë që është dhënë deklarata

“Ne si Sindikatë e Sektorit Privat të Kosovës kemi marrë një obligim që t’i vizitojmë të gjitha kompanitë dhe të gjithë punëtorët e sektorit privat të taksive sepse pas një informate të cilën unë nuk e kam dëgjuar por thuhet se një person ka përgatit që për nesër të jetë një protestë në shenjë pakënaqësie me të dr ejtat e punëtorëve të kompanive të radiotaksive. Ne sigurisht që edhe në te kaluarën por edhe tash kemi qenë në vazhdimësi dhe kemi trajtuar të drejtat e punëtoreve në këtë sektor dhe jemi shumë të vetëdijshëm sepse respektimi i të drejtave nuk është në nivelin e duhur por megjithatë ndoshta nuk është në nivelin për të cilin është dhënë deklarata dhe sot kemi dalë në të gjitha kompanitë qe ta shohim gjendjen më për së afërmi dhe sigurisht do të veprojmë konform rregullave ligjore”, deklaroi Azemi.

E thirrjes për t’iu bashkangjitur kësaj proteste e ka bërë njëri nga punëtorët e radio taksive në kryeqytet.

Leotrim Rama, thotë se për shkak të mosrespektimit të orarit dhe pagës bazë ka bërë thirrje për protestë në mënyrë që t’i shfaqin pakënaqësitë gjatë punës.

Rama: Mosrespektimi i orarit të punës dhe mospagesa e pushimit dhe rroga bazë na ka shtyrë në protestë

“Punoj shofer në radio taksi. Pakënaqësitë që i kemi shfaq janë mosrespektimi i orarit dhe mospagesa e pushimit dhe rroga bazë. Për këtë arsye ne i kemi shfaq pakënaqësitë tona… Ne i kemi organizua një protestë po u dashtë me anulua për arsye të Qeverisë dhe Policisë”, tha Rama.

Por kolegët e Ramës po shprehen të kënaqur me kompanitë ku punojnëdhe, duke thënë se nuk ka ndonjë pakënaqësi të madhe për të cilën do të dilnin në protestë, ngase nuk i janë shkelur të drejtat e tyre.

Byrhan Shatri, punëtor në njërën nga kompanitë e radio taksive demantoi Ramën duke thënë se ato ankesa nuk vlejnë për kompaninë në të cilin ai punon.

Shatri tha se është i kënaqur me pagë dhe të gjitha kushtet që kompania i ofron.

Shatri: Te kompania Dallas nuk kemi kurrfarë ankese

“Me rrogë jam i kënaqur, kushtet janë të mira, nuk kam diçka vërejtje, secila kompani i ka rregullat e veta dhe në bazë të kompanisë janë edhe kërkesat. Te kompani Dallas nuk kemi kurrfarë ankese dhe jemi të kënaqur me atë punë që bëjmë”, tha Shatri.

Ai tha që në asnjë pikë të kontratës së nënshkruar nuk i është shkelur e drejta, ndërsa shtoi se cilido që është i pakënaqur me punën të mos I përgjithësojë të gjitha kompanitë e radio taksive.

Edhe Ramiz Plakaj, punëtor në njërën prej kompanive të taksive në kryeqytet tha se që nga themelimi është pjesë e kompanisë dhe se puna është në nivel mjaft të mirë.

Plakaj: Për mu puna në kompani është super

“Unë jam prej themelimit në kompani që 15 vite, për mu është super dhe për të gjithë. E ke mi me përqindje jemi 8 orë punë… Rrogën e marrim përmes bankës”, tha ai.

Edhe punëtori Berat Shala, tha se punon që nga viti 2016 dhe se kushtet e punës janë të mira dhe se deri sot nuk i është shkelë asnjë e drejtë si punëtor në këtë kompani.

Protesta e paraparë për ditën e nesërme është anuluar me vendim të Qeverisë, kurse Policia e Kosovës i ka njoftuar taksistët se do të merren masat konform ligjit nëse mbahet kjo protestë.

Share.