Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore si pagë shtesë për punëtorët shëndetësorë të sektorit publik për tre muajt e ardhshëm, përfshirë muajin gusht.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se kjo nënkupton shtesë prej 10 për qind të pagës, dhe është jo më pak se 60 euro në muaj.

“Marrë parasysh edhe ngarkesën e stafit ekzistues kemi paraparë që të ketë një mbështetje shtesë pra mbi pagën bazë prej 10%, por jo më pak se 60 euro për tre muajt e ardhshëm, duke përfshirë edhe muajin gusht. Mjetet e ndara do të merren nga program i rimëkëmbjes ekonomike”, ka thënë Murati.

Në mbledhjen e qeverisë ka kaluar edhe plotësim-ndryshimi për pagesat për lehonat e punësuara, krahas atyre të papuna, dhe shtesat e fëmijëve ku parashihen shtesat e fëmijëve deri në moshën 16-vjeçare.

Qeveria gjithashtu ka marrë vendim edhe për të mbështetur familjet që kanë humbur një familjar si pasojë e pandemisë.

 

“Ndahen 4 milionë euro për mbështetjen e familjeve që kanë humbur familjarin e tyre nga pandemia COVID-19 dhe shumë shpejt pas miratimit të këtij vendimi do të dalim edhe me operacionalizimin dhe me njoftimin për qytetarët se si mund të aplikojnë dhe si mund të marrin mbështetjen për sa i përket kësaj mase”, ka thënë ai.

Ndërsa 1 milion euro janë ndarë për të mbështetur kuzhinat humanitare

“Kemi menduar të japim mbështetje edhe për kuzhinat humanitare me një shumë prej 1 milion euro përmes një thirrje publike ashtu që të sigurohemi që së paku edhe ato shtresa që mund të mos kenë qasje të mos mbesin pa ushqim të nevojshëm”, ka thënë Murati.

Ndërsa nga sigurimi i 10 milionë euro prej Bonove të Diasporës, do të mbështetën prodhuesit vendorë për investime të reja, si subvencionim i kredive për investime.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë ndër të tjera është miratuar edhe projekt-kodi i procedurës penale, përmes së cilit kryeministri Albin Kurti tha se do të mundësohet që askush të mos i shmanget drejtësisë.

 

“Projekt-kodi i procedurës penale do të mundësojë që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe rastet penale të kenë epilog, kryesit e veprave penale, e veçmas kryesit e krimeve të luftës të ballafaqohen me drejtësinë. Po ashtu, zyrtarët publikë, ndaj të cilëve ngritet aktakuzë për vepra të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, do të pezullohen nga puna. Viktimat e krimit do të kenë një trajtim dinjitoz në të gjitha fazat e procedurës penale”, ka thënë Kurti.

Ekzekutivi ka miratuar edhe propozimin për kërkimin e shpërndarjes së dividentës në vlerë 30 milionë euro nga ndërmarrja publike KEK dhe KOSTT. Në mbledhjen e qeverisë u tha se KOSTT-i duhet të shpërndajë dividentën në vlerë prej 20 milionë euro dhe KEK-u në vlerë 10 milionë euro.

Kryeministri Kurti theksoi se mjetet nga ndarja e dividentës duhet të transferohen në buxhetin e Kosovës më së largu deri më 6 tetor të këtij viti dhe të njëjtat të trajtohen si para publike.

Share.