Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ende nuk ka marrë përgjigje nga kryeministri i vendit përkitazi idesë për shkurtimin e fushatës zgjedhore për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Abdixhiku e ka ftuar edhe një herë liderin e LVV-së, që është edhe kryeministër, Albin Kurtin që të marrë për bazë këtë kërkesë, pasi vlerëson se është në pyetje jeta e qytetarëve të vendit.
“Kam marrë përgjigje nga PDK dhe AAK, por nuk kam marrë përgjigje fare nga kryeministri i vendit, që është një shembull jo i mirë i relacionit politik në vend. Kur mua më adreson një ftesë për çështje të dialogut nga LVV ose çështje të tjera i përgjigjesha dhe pres që të përgjigjet, pasi bëhet fjalë për një organizim të një marrëveshjeje xhentëlmenësh dhe jo për një detyrim ligjor sepse nuk mund ta ndryshojmë ligjin, por mund të merremi vesh si të sillemi bashkërisht në fushatë për t’i mbrojtur qytetarët tanë”, tha ai.
Abdixhiku tha se ditëve në vijim do të bëjnë të ditur qëndrimin e tyre përkitazi shkurtimit të fushatës zgjedhore, por ai tha se është në dorën e kryeministrit që të zgjedhë përkitazi me këtë çështje.