Në fundjavën e fundit të muajit gusht është hasur një fluks i lartë automjetesh që kthehen nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinës.

Policia e Shtetit shqiptar njofton se nga monitorimi i kryer në 24 orët e fundit janë arrestuar 11 drejtues mjetesh, janë pezulluar 60 leje drejtimi, si dhe janë ndëshkuar me gjobë 1606 ngasës automjetesh./TV Malisheva

“Gjatë 24 orëve të fundit nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar 60 leje drejtimi, nga të cilat 40 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin deri në 183 km/h në Baypassin e Fierit, 161 në rrugën interurbane Tiranë –Elbasan në Bërzhitë dhe shpejtësi nga 135 deri në 149 në shumë akse të tjera të vendit dhe 20 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1606 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, thuhet në njoftim.

Share.