Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot biseda me kryetarët e komunave të Kosovës të përkatësive të ndryshme partiake e etnike, si dhe kryetarët e degëve të AAK-së, pas situatës së krijuar me përhapjen e koronavirusit.
Haradinaj ka thënë se nga bisedat ka kuptuar se janë të mobilizuar dhe falënderues për bashkëpunimin e qytetarëve dhe institucioneve të tjera relevante.
“Ata thanë se janë të mobilizuar dhe falënderues për kujdesin e qytetareve, personelit mjekësor, ushtrisë, Policisë së Kosovës dhe shtabeve emergjente, që janë në vijën e parë të frontit. Shqetësim mbetet mungesa nga lista esenciale e barërave deri te mjetet elementare, për të pajisur spitalet regjionale dhe QKMF-të. Kërkesë kishte për furnizim me barëra esenciale, maska e mjete tjera mbrojtëse, dezinfektim të hapësirave publike dhe pako ushqimore për skamnorë t”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka porositur se duhet të gjithë të qëndrojnë bashkë për ta tejkaluar situatën.
“Do të mbetemi në gjendje gatishmërie, në përkrahje të njëri-tjetrit. Të bashkuar e kalojmë këtë gjendje!”, ka thënë kryetari i AAK-së