Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar qeverisjen Kurti për dështim në menaxhimin me situatën me koronavirus, për shkak të mungesës së testimeve të shpeshta, e cila mund t’iu kushtojë qytetarëve.

Ai në një konferencë për media tha se këto testime janë shumë të nevojshme që të thyhet zinxhiri i përhapjes së koronavirusit, i cili deri më tash në vendin tonë ka shënuar një të vdekur dhe 31 të infektuar.

I pyetur nga KosovaPress, se a paraqet shkelje të rekomandimeve të OBSH-së dhe IKSHP-së mbajtja e një seance për mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti në këto kushte kur vendi po përballet me koronavirus, Ismaili tha se do të kryejnë detyrën e tyre si deputet nëse thirret kjo seancë.

Ismaili: Mendoj që numri i të prekurve me koronavirus është më i madh

 

“Këta 31 që janë sot të infektuar, të gjithë këta kanë qenë në atë kohë të infektuar. Pra, asgjë nuk ka ndërruar nga situata kur nuk e kemi mbajtur seancën për buxhetin. E vetmja gjë që ka ndërruar është se kemi bërë teste pak më shumë dhe kemi kuptuar që ata në të vërtetë qenkan në Kosovë. Dhe unë dyshoj se ky numër edhe sot është 31. Mendoj që numri është më i madh, mirëpo mungesa e testimeve nuk është duke e treguar popullatën e vërtetë të infektuar. Prandaj se a kemi thyer atëherë, dhe a kemi mundësi që të thyejmë prapë, mendoj që vijmë në një risk të të qenit deputet dhe vijmë në një risk të të qenit në shërbim të publikut”, ka deklaruar ai.

Ismaili tha në këtë situatë pandemike, vendi është duke u përballur edhe me partitë politike në pushtet që po bëjnë agjendë dhe luftë të vrazhdë ndaj njëra-tjetrës.

Për më tepër, ish-ministri i Shëndetësisë tha se Qeveria Kurti është dashur që në fillim të përhapjes së pandemisë n ë Evropë, të testojë të ardhurit nga vendet e prekura për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.

Ismaili: Nuk kemi arritur të mbrojmë kufijtë tanë

 

“Gjendja me koronovirus në Kosovë ka ndryshuar shumë nga java në javë. Ne e kemi pasur një situatë në të cilën kemi pasur hyrje të mëdha të qytetarëve tanë, të cilët kanë ardhur nga vendet e krizës dhe mungesa e testimeve të shumta në kufi tonë, mungesa e kërkesave për vetizolim, ka krijuar një situatë ku koronavirusi shihet që është i shpërndarë në komuna të ndryshme. Kemi një situatë ku pacientë të ndryshëm janë në komuna të ndryshme, dhe kjo është bërë nga vetë fakti ku nuk kemi arritur të mbrojmë kufijtë tanë, nuk kemi arritur që të krijojmë një sistem për vetizolim. Kemi shpesh herë raste të cilat janë paraqitura dhe janë duke treguar që askush nuk iu ka thënë atyre që duhet të qëndrojnë për 14 ditë të izoluar. Pra, rastet e humbura për të vetizoluar qytetarët, për të bërë teste në kufijtë tanë, kanë krijuar një situatë që tani Kosova duhet të përballet me raste të shpeshta apo raste të mundshme të shpeshta, që janë të shpërndarë në komuna të ndryshme”, tha ai.

Sipas tij, neglizhenca që të trajtohen personat që vijnë nga shtetet me rrezik si të infektuar potencialë ka pasoja të mëdha për shëndetin publik në Kosovë, për ekonominë, arsimin dhe të gjitha fushat e tjera.

Ismaili: Kosova nuk po arrin të bëjë testime më të shpeshta

“Këto dy trajtime që tani duhet të bëhen në Kosovë, njëra veç se ka filluar që është distanca sociale dhe fizike, pra që qytetarët tanë të rrinë në shtëpi të mos dalin. Dhe kështu mundësojnë që virusi mos të shpërndahet. Hapi i dytë i cili duhet të merret dhe që është shumë me rëndësi e që nuk është duke ndodhur dhe për të cilën mendoj që jemi duke çalua r shumë është testimet e shpeshta. Kosova nuk është duke arritur që të bëjë testime të shpeshta, testime të cilat janë shumë të nevojshme që të thyhet zinxhiri i transmetimit të virusit. Deri më tani ne kemi afro 570 testime që janë mjaft pak, duke konsideruar që shtetet që kanë model të zhvilluar të luftës kundër koronavirusit kanë arritur të bëjnë testime nga 5 mijë deri në 6 mijë për një milion banorë. Mungesa e testimeve të shpeshta është duke i mundësuar virusit që të shpërndahet është duke humbur shansin që ne të izolojmë në kohë të duhur. Neglizhenca për të të bërë testime, dhe dështimi për të bërë testime mund të jetë e kushtueshme për qytetarët dhe Kosovën”, tha Ismaili.

Kosova ka shënuar sot rastin e parë fatal me koronavirusit, ndërsa janë regjistruar 31 raste me të infektuar

Share.