Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Medica Kosova dhe Medica Gjakova, për vendosjen e “Këndit të Kurajos”, në hapësirën e kësaj ministrie.

“Këndi i Kurajos” përfshin ekspozimin e punimeve të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se e kanë për obligim që të përkrahin të gjitha organizatat që u kanë ofruar ndihmë grave që ato të mos ndihen vetëm.

Selimi: E kemi obligim që t’i përkrahim shoqërinë civile

“Për t’u ndjerë këto gra pjesë e shoqërisë, për t’u risocializuar, por gjithashtu edhe për ta ndjerë të gjithë dhimbjen, dhe rikthimin e tyre në shoqërinë tonë. Ne kemi për obligim të përkrahim shoqërinë civile dhe këto organizata për shkak se në momentet më të vështira kanë ofruar platformën dhe ndihmën që këto gra të mos ndihen vetëm dhe të luftojnë së bashku me ne kundër stigmës shoqërore dhe të ballafaqohen me traumat të cilat i kanë pësuar gjatë dhe pas luftës”, tha ai.

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, vendosjen e “Këndit të Kurajos” në Ministrinë e Drejtësisë e cilësoi edhe si simbolikë për shumicën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, pasi tha se për 20 po vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Rushiti: Është një fuqizim, është një thirrje për kujtesë kolektive

“Vendosja e këtyre punimeve në një hapësirë ku do të jetë e dukshme edhe për ju si ministër, edhe për delegacionet e jashtme, por edhe për gjithë stafin e kësaj ndërtese, mendojmë që është një fuqizim, një thirrje për kujtesë kolektive për t’i kujtuar këto gra, të cilat vazhdimisht ballafaqohen me sfida, vështirësi jetësore në familje, shoqëri, por nganjëherë edhe me institucionet. Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale duhet ta ketë vendin e merituar edhe në Ministrinë e Drejtësisë. Përmes këtyre punimeve, ne duam ta avancojmë zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale, i cili për vite ka mbetur i heshtur. Këto punime përtej që paraqesin lot, se nuk është e lehtë edhe kur ulen dhe bashkëbisedojnë edhe i punojnë këto punime, qoftë varëse apo edhe punime të tjera, paraqet edhe forcën që kanë arritur ato të mbijetojnë 20 vjet pas luftës”, tha ajo.

E vendosja e tyre në Ministrinë e Drejtësisë, ajo tha se shpreson se do të shërbejnë si rikujtim institucional për përkrahje institucionale, qoftë në aspektin e rehabilitimit, qoftë për qasje në drejtësi, por edhe për fuqizimin socio-ekonomik të tyre.

Rushiti tha se shpreson që “Këndi i Kurajos” do të gjejë vend edhe në kryeministri dhe në presidencë.

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi, e cila e ka iniciuar rezolutën për krijimin e këtij këndi, tha se është hera e parë që një ministër e kërkon rezolutën dhe e fillon implementimin.

Bujupi: Zëri i këtyre viktimave dëgjohet përmes punëve të tyre

“U jam mirënjohëse juve zonja, të cilat përtej barrierave dhe kufizimeve të cilat janë jo të vogla në drejtim të vënies së drejtësisë në rend të parë e pastaj edhe përkrahjes sado të vogël ekonomike të grave të cilat me duart e veta i punojnë këta suvenirë, ju bëni ndryshimin në shoqëri, rajon dhe në botë, sepse zëri i këtyre viktimave dëgjohet përmes punëve të tyre”, tha ajo.

“Këndi i Kurajos” tashmë është vendosur në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

Share.