Prej sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare 1, qytetarët e komunës së Prizrenit do të mund të bëjnë teste serologjike për koronavirus.

Këto teste bëhen përmes gjakut dhe ato tregojnë nëse personi është ose ka qenë i infektuar me sëmundjen e rrezikshme.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se tashmë janë gati të përballen me paraqitjen eventuale të valës së dytë të koronavirusit.

“Që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prizrenit vazhdimisht ka kërkuar që testet seroligjike të kryhen edhe në qytetin tonë. Shpresojmë që Kosova të mos hyjë në valën e dytë të pandemisë, por nëse ndodh një gjë e tillë, Komuna e Prizrenit tani është gati për t’u përballur me të”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj ka bërë të ditur se brenda ditës mund të kryhen deri në 80 teste dhe rezultatet e tyre do të dalin brenda ditës.

“Testet do të kryhen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të institucioneve shëndetësore. Po ashtu, do të organizohet testimi i grupeve nga shkollat, komuna e stafi mjekësor. Rezultatet e këtyre testeve dalin brenda ditës dhe aktualisht mund t’i kryejmë rreth 80 teste në ditë, të cilët mund të shtohen varësisht nga kërkesa”, u shpreh ajo.

Share.