Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, vizituan sot Fushë Kosovën dhe Obiliqin, ku nga kryetarët e këtyre dy komunave janë njoftuar në lidhje me gjendjen aktuale me COVID-19 dhe masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje të rrezikshme.
Kryetari i Fushë Kosovës tha se kjo komunë po i zbaton masat për mbrojtje nga koronavirusi, nga i cili deri më tash janë prekur katër persona, dy prej të cilëve janë shëruar.
Ndërsa, gjatë vizitës në Obiliq, kryeministri në detyrë Albin Kurti është njoftuar nga kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi, me gjendjen aktuale me koronavirus dhe zbatimin e masave të qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
E vërtetë që na mungon përvoja për këso pandemi, por ekziston vullneti dhe dija në këtë qeveri që të merren masat më t mira e të nevojshme për luftimin e këtij virusi. Nga kjo sfidë po marrim mësime të reja të cilat po i maturojnë institucionet tona dhe të cilat do t’i shërbejnë institucioneve për në të ardhmen. Sistemin shëndetësor, si qeveri, nuk e kemi gjetur mirë. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe prandaj edhe e kërkojmë bashkëpunimin qytetar. Duke qëndruar në shtëpi, në distancë e pastër mund të fitojmë përballë COVID-19, është thënë në takim, njofton Zyra e Kryeministrit./ Tv Malisheva