Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se dje janë suprimuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës, dhe janë grabitur të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, për këto do të duhej të deklaronin organizatat të cilat mbrojnë liritë e qytetarëve, e në veçanti- Avokati i Popullit.
Kështu është shprehur Limaj, gjatë seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për pakon emergjente prej 320 milionë euro, ku ka kërkuar unitet nga të gjitha grupet parlamentare.
Limaj: Kuvendi i Kosovës dje është suprimuar
“Institucioni më i lartë i Kuvendit të Kosovës, të cilit i ka bërë thirrje Gjykata Kushtetuese që t’i shfrytëzoje kompetencat e veta, praktikisht edhe një herë dje është suprimuar, dhe kemi një ndërhyrje të vrazhdë në kompetencat e Kuvendit nga Qeveria në ikje. Për mendimin tim në aspektin legal është situatë e jashtëzakonshme, dhe ajo çfarë ka ndodhur dje në aspektin legal duke mos mohuar propozimet, idetë, rekomandimet e Institutit Kombëtar Shëndetësor, dhe duke ndarë këtë pjesën humanitare shëndetësore dhe nevojën për të marrë masa, ne jemi të obliguar që gjitha këto masa të jenë karshi në përputhshmëri me ligjin. Në respekt të ligjit dhe kushtetutën”, u shpreh Limaj.
Me vendimet që u morën dje nga Ministria e Shëndetësisë për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve, Limaj tha se është i “trishtuar” se si nuk kanë reaguar ende organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Limaj: Dje me një vendim u grabitën të drejtat e qytetarëve të Kosovës
“Ajo çfarë ka ndodhur dje nuk është kufizim i lirive të qytetarëve të Kosovës. Ajo çfarë ka ndodhur dje është suspendim, është marrje dhe grabitje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Me një vendim administrativ, ar bitrar, dhe me një vendim arbitrar ka suspenduar kompetencat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Një institucion, i cili nuk e ka legjitimitetin më të Kuvendit të Kosovës”, tha Limaj.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka propozuar që të votohet mocioni procedural për përfshirjen e dy projektligjeve, por ky propozim u hodh poshtë nga kryetarja në detyrë e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Ndryshe, kjo seancë ishte thirrur nga 48 deputetë për të diskutuar pakon emergjente prej 320 milionë euro të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u përballuar me krizën COVID-19