​Lëvizja Vetëvendosje do të refuzojë çfarëdo ftese në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendit. Partia e Albin Kurtit insiston vetëm në organizimin zgjedhjeve të reja.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se një president i zgjedhur nga kjo legjislaturë, nuk do të përmbushte obligimin kushtetues si president unifikues.

Nagavci theksoi se nuk kanë pranuar ftesë nga askush, përfshirë edhe ftesën e paralajmëruar nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani për çështjet më me rëndësi për vendin.

“Me aq sa jam e njoftuar deri më tani, nuk kemi një ftesë të tillë. Kjo për faktin se LVV e ka shprehur qëndrimin e saj. Çështja e presidentit do të diskutohet pas zgjedhjeve të reja sepse negocim paraprak është e qartë se është negocim për interesin e grupeve të ngushta klienteliste, gjegjësisht krerëve të partive politike, e jo në interes të vendit. Një president i zgjedhur nga kjo legjislaturë nuk do të mundte të përmbushte obligimin kushtetues si president unifikues apo unifikuese. Pra duhet fillimisht të kemi legjitimim të institucioneve me anë të zgjedhjeve të reja, e pastaj të vazhdojmë me procesin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit”, tha ai.

Nagavci pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, foli edhe për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, ku tha se deklarata e partive të tjera politike për rrëzim të ekzekutivit janë me qëllime popullsite e nuk tregojnë vullnetin për zgjedhje të reja.

“Çështja e mocionit të mosbesimit e iniciuar nga LVV-ja është një çështje që po pret të përmbushen formale procedurale. Ne jemi sot më të bindur se secilën ditë që kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi sa më parë sepse me shumë se qeveri e papërgjegjshme është edhe një mospasje e një qeverie funksionale. […] Të gjitha subjektet të cilat vërtetë konsiderojnë se kjo qeveri nuk është në nivel të detyrave që priten prej saj do të duhej të nënshkruanin mocionin e mosbesimit. Deklaratat e individëve nga parti të ndryshme që japin vetëm deklarata thjeshtë me qëllime populsite ose elektorale nuk është se tregojnë vërtetësinë e një vullneti për zgjedhje. Kështu që sa më herët që partitë e kuptojnë se duhet të shkojë vendi në zgjedhje të reja, është më mirë edhe për vet ato parti sepse çdo ditë e më shumë është një zhgënjim për qytetarët”, tha ajo.

Paritë politike ende nuk kanë zhvilluar ndonjë takim për të diskutuar për postin e presidentit, ani pse vendi ka hyrë në muajin e dytë me ushtrues të detyrës së presidentit./TV Malisheva

Share.