Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se ua ka shkëputur kontratat mbi 60 personave, me arsyetimin se janë të jashtëligjshme.

Ai ka thënë se sot është njoftuar nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të ministrisë dhe ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Bujqësisë se këto kontrata, në mungesë të bazës ligjore dhe si rezultat i shkurtimeve buxhetore për 2020, janë ndërprerë.

“Kam trashëguar një ministri përplot shkelje ligjore, duke përfshirë mbi 60 njerëz që kanë qenë të angazhuar me kontrata afatshkurta antiligjore, nën premtimet e rrejshme se jashtëligjshëm do të “rehatohen”. Këto janë vendime të zorshme e të dhimbshme për gjithsecilin, por shkelja e ligjit nuk mund të bëhet normë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Për pozitat e domosdoshme në ministri, të aprovuara ligjërisht dhe me buxhet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, do të hapen konkurse që ndjekin procedurat e rregullta ligjore dhe ministri Mustafa fton profesionistët që të aplikojnë për këto pozita të rregullta me kontrata ligjore afatgjata/TVMalisheva

Share.