Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin L.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se është përfshirë në veprën penale fajde.
Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari L.K., ka dhënë para me fajde, në vlerë prej 75.000 euro, me qëllim që pastaj t’i kërkonte me kamatë prej 30% nga i dëmtuari E.I., me ç’rast vlera e përgjithshme sipas marrëveshjes që i dëmtuari kishte për t’ia kthyer të dyshuarit ishte 97.500,00 euro.
Me kërkesë të prokurorisë dhe aprovim të gjykatës, nga policia është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë kontrollës janë gjetur disa shënime në formë të marrëveshjes lidhur me kthimin e borxhit dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me çështjet inkriminuese.
Me këto veprime, dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur dhe prokuroria brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit do të kërkojë masën e paraburgimit nga gjykata kompetente në Gjilan./ Tv Malisheva