Tashmë kanë nisur punët për projektin e “Rehabilitimit të rrugës Kllokot-Gjilan dhe rrugëve regjionale, Lot 2”.

Në nismën e punimeve morën pjesë kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe nënkryetari i komunës së Kllokotit, Sasha Mirkovic.

Nismën e këtij projekti e ka quajtur të rëndësishme kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti është shprehur i lumtur që tashmë kanë nisur punët për “Rehabilitimin e Rrugës N25.3 Kllokot- Gjilan, Projekti i Rrugëve Regjionale, Lot 2”, që bëhet me financim të BERZH-it.

Kryeministri Hoti edhe njëherë theksoi atë që diskutoi në takimin e sotëm me të parin e Vitisë, Sokol Haliti. Me ç’rast thotë të jetë diskutuar për zgjerimin e rrugës që e lidhë atë pjesë me kyçjen në autostradën në Ferizaj.

Hoti: I lumtur që po nisim realizimin e këtij projekti

“Është vërtetë kënaqësi që me ministrin e Infrastrukturës, me zëvendësministrin e pushtetit lokal të jemi sot këtu, për të promovuar fillimin e punimeve për një projekt të rëndësishëm të financuar nga BERZH-i, të cilët i falënderoj. Projekti tjetër në Gjilan para një muaji, në Prizren para dy jave, bashkë me ministrin, dhe shpresoj që me këto projekte po përmbyllen akset kryesore rrugorë në Kosovë, të cilat kanë filluara para 4-5 viteve, unë jam i lumtur që sot po fillojmë këto projekte…. me kryetarin e Vitisë, biseduam edhe për projekte të tjera, të zgjerimit të rrugës që e lidhë këtë pjesë me kyçje në autostradë në Ferizaj po mbi të gjitha, projektin në Gelicë, të qasjes në autostradë që e ndërron komplet konjekturën infrastrukturore dhe ekonomike të këtij regjioni”, ka thënë Hoti.

Ndërsa Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thanë se me këto projekte synohet të zhbllokohen fondet, si dhe të krijohet mundësi për investime të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve të këtij rajoni.

Abrashi: Të zhbllokojmë fondet, të krijojmë mundësi të reja për investime në infrastrukturë

“Po flasim për një bashkëpunim shumë të ngushtë në mes të Qeverisë, mes komunave, në mes partnerëve ndërkombëtar në këtë rast sikurse BERZh-, në mënyrë që t’i zhbllokojmë fondet dhe të krijojmë mundësi të reja për investime në infrastrukturë, investime të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve të këtij rajoni, po dhe gjithë Kosovës, dhe gjithsesi të krijojmë mundësi më të mira edhe për bizneset dhe thithjen e investimeve. Jam shumë i kënaqur që jam sot këtu, duke hapur një aks që lidh Kllokotin, Vitinë, Gjilanin, pastaj lidh edhe me Preshevën, Bujanovcin dhe korridorin dhjetë”, ka thënë Abrashi.

Abrashi po ashtu ka thënë se është biseduar edhe për rehabilitimin e rrugës deri në Sojevë, për kyçjen e Gerlicës si dhe për një qasje me të mirë për rrugën në Stanqiq.

E kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri theksoi se brenda një muaji po fillohet projekti i dytë në lindje të Kosovës e për çka e ka quajtur të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e programeve në investime.

Haziri: Ky projekt ka rëndësinë e veçantë në zhvillimin e pjesës së programeve në investime

“Jam i nderuar që brenda një muaji po fillohet projekti i dytë në lindje të Kosovës, që u fillua muajin e kaluar ishte Gjilan-Prishtinë, ndërsa sot Kllokot-Gjilan, i cili ka rëndësinë e veçantë në zhvillimin si pjesë e programeve në investime. Mbështetja e Qeverisë është kritike në zhvillim, jo vetëm në infrastrukturë, por në zhvillim në përgjithësi dhe ky projekt për rastësi ka ndodhë sepse kur është negociuar në 2016-2017, ka qenë ministër i financave, kryeministri sot”, tha Haziri.

Kurse, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka falënderuar kryeministrin Hoti, dhe ministrin Abrashi që kyçja e regjionit të lindjes më Shkupin dhe me Prishtinën po bëhet shpejtë.

Haliti: Kyçje e rëndësishme pasi lidhë regjionin e Anamoravës

“Ky projekt është i shumë pritur, është shumë i nevojshëm, ka qenë tepër deficitar, jo vetëm për komunën e Vitisë me u lidh me Gjilanin, për Kllokotin, për Parteshin, dhe gjithë regjionin. Siç është Gerlica që biseduam me kryeministrin, edhe në këshillin ndërministror kur është marrë për kyçjen e Gerlicës, ka qenë ministër, atëherë kryeministri, e falënderoj për mirëkuptim, që bashkë me ministrin Abrashi, që Gerlica, kjo kyçje e shumë pritur që lidh regjionin që natyrisht regjionin e lindjes më Shkupin, me Prishtinën të bëhet sa më shpejtë”, ka thënë Haliti.

Gjithashtu edhe nënkryetari i komunës së Kllokotit, Sasha Mirkovic, ka falënderuara Qeverinë Hoti, dhe të gjithë ata që do të merren me zbatimin e këtij projekti.

Share.