Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka adresuar një varg kritikash ndaj kryeministrit Avdullah Hoti për mosbashkëpunim institucional.

Ani pse kryeparlamentarja në seancën e sotme plenare votoi projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, ajo tha se nëse qeveria nuk bashkëpunon me opozitës në lexim të dytë, nuk do të ketë përkrahjen e saj.

Osmani: Siç po dëshmohet edhe sot pa ndihmën e disa që nuk e kanë votuar këtë qeveri, as ky ligj nuk do të kalonte

“Është mirë që më në fund po e shohim Kuvendin e Kosovës me prezencë të gjithë deputetëve të koalicionit qeverisë. Siç po dëshmohet edhe sot pa ndihmën e disa që nuk e kanë votuar këtë qeveri, as ky ligj nuk do të kalonte. Por arsyeja që sot e mora fjalën është kjo, më shumë se pesë herë e kam votuar këtë ligj. Jo vetëm opozita që tregon një mungesë të bashkëpunimit nga ana e qeverisë, por edhe unë si kryetare e Kuvendit në asnjë moment nuk jam konsultuar e as më pak të më kërkohet mbështetja për një ligj kaq të rëndësishëm. Kjo tregon sa lodhet kjo qeveri për këtë ligj, aspak. Vet fakti që kryeministri nuk është këtu, e tregon që nuk lodhën aspak për dëmin ekonomik që i është shkaktuar nga pandemia. Pesë herë e kam votuar këtë ligj, si rrjedhojë e mbështetjes së këtij ligji bllanko janë epitetet palaqo parazit, jo legjitime e shkretë e gjorë. Nuk është kjo mënyra për të bashkëpunuar zonja dhe zotëri të qeverisë. Nuk është kjo mënyra për të arritur unitet për çdo çështje. Jam këtu për të treguar si e kam votuar pesë herë të tjera, unë e votojë edhe sot. Por jo që e meritoni ju këtë votë. Në asnjë moment, sepse në vend që të jeni shembull të bashkëpunimi keni treguar arrogancë të paparë”, tha ajo.

Kryeparlamentares i reagoi, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili tha se disa herë ka kërkuar bashkëpunimin e saj.

Gashi: Unë personalisht i kam kërkuar të nënshkruaj kërkesën për seancë jashtëzakonshme

“Unë personalisht i kam kërkuar të nënshkruaj kërkesën për seancë jashtëzakonshme. E falënderojë për votimet e mëhershmen dhe të sotmen, por çështjet tjera janë jashtë kësaj seance për t’u diskutuar”, tha ai.

Por Osmani paraqiti disa nga kushtet për ta votuar në lexim të dytë.

Osmani: Në lexim të dytë nëse nuk ka bashkëpunim nuk do të ketë përkrahjen time

“Ajo që duhet të ndodh është kjo, le të kalojë në lexim të parë, mirëpo nëse qeveria nuk bënë përpjekje të ulet me gjithë anëtarët e opozitës dhe të ndryshojë këtë projektligj që t’i marrë votat në lexim të dytë. Natyrisht se as përkrahjen time nuk do të ketë, jam e bindur që as disa deputetëve të tjerë”, tha ajo.

Seanca përfundojë me votimin e projektligjit për rimekëmbjen ekonomike, në lexim të parë, i cili morri 64 vota pro.

Share.