Qeveria e Kosovës ka miratuar agjendën legjislative për vitin 2021 me disa ndryshime ku janë shtyrë disa projektligje. Në programin legjislativ ekzekutivi ka futur edhe disa projektligje të tjera.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka propozuar heqjen e projektligji për skema sociale gjë të cilën ka thënë se do të bëhet një reformë e thellë.

“Sa i përket agjendës legjislative, kemi dy propozime si Ministri e Financave, Punës dhe Transfereve dhe më saktësisht kanë të bëjnë me heqjen nga programi legjislativ të dy projektligjeve të parapara me numër rendor 36 dhe numër rendor 50, për arsye se projektligji me numër 36 për skemën e ndihmave sociale jemi dakorduar që të ndërmarrim një reformë të thellë në bashkëpunim me Bankën Botërore, dhe në kuadër të kësaj e kemi edhe si pikë të rendit të ditës pra fillimin e negociatave me Bankën Botërore për ta reformuar skemën e asistencës sociale, andaj projektligji shtyhet për vitin e ardhshëm. Kurse projektligji për marrëveshjen e kredisë për projektin e gjelbërimit të tokës po ashtu mendojmë që duhet të shtyhet për vitin e ardhshëm dhe duhet prioritizojmë projekte të tjera që janë më të domosdoshme për këtë vit”, ka thënë Murati.

Në mbledhjen e sotme, Ministria e Punëve të Brendshme ka propozuar shtyrjen e shtatë projektligjeve për disa muaj, ndërsa ka futur tri të tjera në mesin e tyre edhe atë për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka deklaruar se projektligjin për ndërmarrjet publike nevojitet të rishikohet.

“Edhe Ministria e Ekonomisë propozon që ta tërheqim ligjin për plotësim- ndryshimin për ndërmarrje publike, për arsye se duke i marrë parasysh ndryshimet politike në programin tonë politik kemi nevojë që ta ri-shikojmë edhe njëherë ligjin para se ta procedojmë, kështu që propozojmë shtyrje për vitin tjetër”, ka thënë ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar që agjenda e propozuar nga kjo ministri të shtyhet për shkak të situatës së krijuar me pandeminë koronavirus.

 

“Edhe Ministria e Shëndetësisë, për shkak edhe të situatës së krijuar kërkon që të shtyhet për dy muaj agjenda legjislative e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë më herët”, ka thënë Vitia.

Ministria e Drejtësisë ka vendosur të shtyjë deri më 30 shtator projektligjin për tokën ndërtimore, që sipas zëvendësministrit, ka disa specifika që kanë dalë gjatë trajtimit të këtij projektligji.

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka propozuar ndryshime në programin legjislativ të Qeverisë.

“Në kuadër të këtij program të përfshihen propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Duke pasur parasysh se gjatë zbatimit të tyre në praktikë janë vërejtur disa zbrazëtira juridike dhe pengesa në zbatimin efektiv të tyre, si në aspektin e organizimit të brendshëm ministror, çështjeve të përcaktueshmërisë së sanksioneve disiplinore dhe çështjeve të tjera, si dhe me synim të avancimit me standardet e vendeve të NATO-s, standard këto të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen në mbikëqyrjen dhe kontrollin civil demokratik të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes e konsideron të domosdoshëm ndryshim plotësimin e ligjeve të lartcekura Brenda vitit 2021”, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla. /TV Malisheva

Share.