Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një sërë masash si pjesë e fazës së tretë kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë për media ka falënderuar qytetarët për respektimin e vendimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Një ndër vendimet që morëm tani është ai për liberalizimin e masave në ballafaqimin me pandeminë Covid-19. Tash nga dita e nesërme mund të fillohet me një hapje jo absolute. Ajo çfarë do të bëjmë është se po rihapim kopshtet nga 0-5 vjeçar. Pastaj po bëjmë organizimin për testin e arritshmërisë dhe përgatitjet për testin e maturës. Kthimi i klasave të nënta nga data 8 qershor ndërsa ata të 12-ta nga data 15 qershor. Më datën 13 mars e patëm marrë vendim për mbylljen e kufijve, dhe në këtë mënyrë hapim kufijtë tokësorë. E kemi shfuqizuar edhe pikën 6, me të cilën janë mbyllur baret dhe kafiteritë. Nga dita e nesërme hapen edhe ato”, tha Kurti.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia tha se nga nesër hapen kufijtë tokësorë ndërsa ata ajror vendimi pritet të merret pas një jave. Si pjesë e hapjes së plotë nga nesër do të jenë edhe gastronomia, qendrat tregtare, taksitë, barnatoret.

Vitia tha se rreziku nuk ka kaluar, dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbrohen nga pandemia e koronavirusit.

Ndryshe, mbledhja e Qeverisë në detyrë është mbajtur pa prezencën e ministrave nga radhët e LDK-së, parti kjo që ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re, pas vendimit të Kushtetueses që i ka dhënë të drejtën dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit Avdullah Hoti.

Share.