Vetëm vitin e kaluar rreth 200 mjekë kanë kërkuar vërtetimet për etikën në punë, me anë të së cilës mund të punësohen si mjekë në Gjermani. Shumë të rinj po largohen nga vendi për të gjetur punë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Dikush ka zgjedhur të qëndrojë në Kosovë, por në vendin ku ka lindur po i bëhen shumë padrejtësi.

Jeta Kelmendi ka studiuar për Stomatologji në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka qenë një studente e dalluar me notë mesatare 9,4, ndërsa studimet postdiplomike i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit.

Derisa flet e zhgënjyer, Jeta thotë për KosovaPress & TVMalisheva se tash e shtatë vjet po e shqetëson padrejtësia që po i bëhet për punësim në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo tregon se ka aplikuar dy herë për punësim si staf i rregullt, megjithatë të arriturat e saj nuk janë marrë parasysh.

Jeta ishte një nga të rekomanduarat për pozitën në të cilën ka aplikuar, për këtë ajo dyshon në paanshmërinë e anëtarëve të komisionit vlerësues.

Në këtë konkurs ajo ishte vetme kandidate si doktor-shkence. Emri i saj ishte për dy javë në “Buletin” si e rekomanduar për këtë pozitë.

Për këtë fajëson dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, me të cilën ka kërkuar takim, por nuk ka marrë përgjigje.

Në lidhje me këtë KosovaPress & TVMalisheva ka provuar të marrë një përgjigje nga Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Jeta thotë se ka informuar Rektoratin për këtë parregullsi, dhe këta të fundit janë zotuar se do të diskutojnë në mbledhjen e senatit. Për këtë ka angazhuar edhe avokat, e ka nisur edhe proceset gjyqësore për të kërkuar të drejtën e saj.

33-vjeçarja rrëfen për KosovaPress & TVMalisheva se ka shumë artikuj të publikuar në revista shkencore, e libra të botuara që shërbejnë si literaturë për studentët e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Megjithatë këto nuk u morën parasysh në kohën kur ajo aplikoi për staf të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë. /TV Malisheva/

Share.