Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim kryetaren e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe koordinatorin e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Nur Çeku.
Në takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë për periudhën e pandemisë me Covid-19, me të cilin po ballafaqohet vendi.
Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së ministrit Xhelal Sveçla ka folur për veprimet e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike brenda përgjegjësive të saj dhe për funksionet e Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, pas aktivizimit të Planit të Reagimit Kombëtar, ku të gj itha institucionet e zbatimit të ligjit janë duke punuar bashkërisht për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
Kryetarja e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku vlerësoi punën që ka bërë MPBAP në menaxhimin e situatës, duke ofruar mbështetjen e komisionit, për çfarëdo nevoje në funksion të menaxhimit të situatës.
Ajo po ashtu ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme një raport të hollësishëm për menaxhimin e përgjithshëm të kësaj situate dhe të sigurisë në përgjithësi