Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit që ka zhvilluar me emisarët evropianë të cilët sot po qëndrojnë në Kosovë ka thënë se pa heqjen e vizave nuk do të ulet në Bruksel për të biseduar me Serbinë.
Ai tha se edhe në këtë takim me këshilltarët e dy vendeve mike të Kosovës nuk është dëgjuar asgjë pozitive karshi vizave për qytetarët e Kosovës.
Kreu i shtetit tha se ky mos unitet i Bashkimit Evropian krahas kësaj çështje është i padrejtë.
Sipas tij BE është e papërgatitur për fazën e dytë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi: Për fat të keq edhe sot nuk u dëgjua për liberalizimin e vizave për Kosovën
Video
“Për fat të keq edhe sot nuk u dëgjua për liberalizimin e vizave për Kosovën , madje sikur të mos e hapja si temë nuk do e ngisnin së diskutuari dhe kjo është jashtëzakonish t zhgënjyese për qytetarët e vendit kur para pesë vitesh Bashkimi Evropian ka qenë i gatshëm që të merr vendimin të nxjerr vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mendoj se ky mos unitet i Bashkimit Evropian dhe ky qëndrim rixhid kundërshtues e tash edhe ndëshkues për Kosovën është i padrejtë. (…) Qëndrimi im ishte shumë i qartë në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës. Fillimisht Bashkimi Evropian duhet të nxjerr vendimin për liberalizimin e vizave pastaj të mendoj se a ka kapacitete, hapësirë, vizion dhe lidership për të shtyrë përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga ajo që unë kuptoj dhe shoh Bashkimi Evropian sot është plotësisht i papërgatitur për fazën e dytë, ndërsa edhe për të parën gjithashtu kanë menduar në mënyrë elegante ta tejkalojë çështjen e liberalizimit të vizave. (…) Për mua dialogu i menduar për të vazhduar në Bruksel është i tejkalu ar, fillimisht vizat pastaj hapen çështjet e tjera”, theksoi ai.
Madje Thaçi theksoi se pa ndodhur liberalizimi i vizave si president i Kosovës nuk do ulet në Bruksel për të biseduar me Serbinë.
Thaçi: Nuk do ulem në tavolinë për të biseduar me Serbinë pa ndodh liberalizimi i vizave
“Përderisa nuk ndodh liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian së paku unë si president i vendit nuk ulem në tavolinë në Bruksel sepse nuk e meriton këtë kredi t’ia jap Kosova Brukselit sa i përket kësaj çështje. Ne meritojmë vizat, pastaj shohim për hapat e tjerë nga ajo që shoh nuk ka kapacitet në Bruksel, nuk ka unitet dhe nuk ka qëndrim se si të lëvizet përpara. E para është liberalizimi i vizave , kjo është jetike të tjerat janë çështje dytësore sa i përket Kosovës me Bashkimin Evropian dhe relacionit me Serbinë . Ritheksoj se roli i Shteteve të Bashkuar a të Amerikës është i pazëvendësueshëm”, deklaroi kreu i vendit.
I pyetur se delegacioni gjermano-francez ka kërkuar gjatë takimit që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, kreu i vendit tha se nuk kanë diskutuar për atë çështje.
Sipas tij ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë duhet të jenë të qartë, pasi siç tha ai në takimin që ka zhvilluar sot nuk ka parë qartësi për ndonjë çështje të caktuar.
Thaçi: Ajo çështje nuk është diskutuar, ndërkombëtarët që vinë duhet të jenë të qartë
“Ajo çështje nuk është diskutuar nga ana ime, mesazhi im ka qenë gjithmonë që Kosova duhet të prodhojë argumente pozitive për partnerët, miqtë tanë, është shumë me rendësi që ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë të jenë të qartë dhe unë sot nuk pash qartësi ta them të drejtën për asnjë çështje me përjashtim t hulumtimit të opinionit dhe proceseve. Por takimi i përbashkët ka qenë një takim krejt i zakonshëm, i bisedave të zakonshme dhe mendoj që Bashkimi Evropian duhet të jetë shumë i qartë në veçanti për liberalizimin e vizave”, theksoi ai.
Jan Hecker, këshilltari i kancelares Angela Merkel, dhe Emmanuel Bonne, i presidentit francez Emmanuel Macron, para takimit me presidentin Hashim Thaçi ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.