Trendafilova thotë se janë të fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve, në Prishtinë flet edhe për mandatin e Dhomave të Specializuara
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova ka thënë se kjo gjykatë do të funksionojë deri në përfundimin e të gjitha procedurave hetimore, për çka Republika e Kosovës do të njoftohet nga Këshilli i Evropës. Në një konferencë të mbajtur në Prishtinë, drejtuesja e Dhomave të Specializuara ka thënë se janë të fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve duke shtuar se nuk është në dijeni nëse Prokuroria e Specializuar planifikon ngritjen e aktakuzave për persona të tjerë.
Trendafilova nuk ka treguar nëse do të ngritën aktakuza të reja për persona të tjerë, duke theksuar se kjo është çështje e prokurorisë .
Trendafilova: Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në përfundimin e të gjitha procedurave hetimore
“Dhomat e Specializuara të Kosovës krejtësisht financohen nga Bashkimi Evropian dhe në një masë edhe nga pesë vendet kontribuuese, këto janë ShBA, Norvegjia, Zvicra, Kanada dhe Turqia, dhe Dhomat e Specilizuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat, qoftë hetimore apo procedurat para Dhomave të Specializuara do kenë përfunduar. Siç e kanë bërë të qartë Dhomat e Specializuara dhe e kanë theksuar në vendimin e tyre të 20 nëntorit të vitit të kaluar kjo do të bie në fund punën e Dhomave të Specializuara dhe ky vendim është marrë në bazë të propozimit për ndryshimin e Kushtetutës neni 162 paragrafi 13 dhe 14 sipas të cilëve mandati i dhomave të Specializuara të Kosovës ndoshta mund të ndryshohet përtej asaj që është arritur marrëveshja në shkëmbimin e letrave në mes të bashkimit Evropian dhe Dhomave të Specializuara”, ka thënë Trendafilova.
Kryetarja e Gjykatës Speciale ka thënë se janë të fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve duke shtuar se shpreson që Dhomat e Specializuara nuk do të përballen me raste ku rrezikohet jeta e dëshmitarëve.
Sipas saj, është mbrojtja e dëshmitarëve një prej arsyeve pse është krijuar kjo gjykatë e cila e ka selinë në Hagë.
Trendafilova: Jemi të fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve
“Mbrojtja e dëshmitarëve është diçka në të cilën ne jemi të fokusuar vërtetë shumë, sepse edhe gjykimi më i mirë nuk vlen asgjë nëse ai gjykim do të mirret në kurriz të jetës apo mirëqenies së njerëzve, Tani nuk po flas për çështjen konkrete të cilën e ngritët ju por administratorja ka një ekip shumë të përkushtuar dhe gjithmonë diskutojmë për çdo zhvillim dhe çdo gjë tjetër që mund të përmirësohet dhe në këtë aspekt shpresoj që nuk do të përballemi me ndonjë situatë apo problem në institucionet e tjera. Kjo çështje është shumë serioze, besoj që kjo ka qenë një prej arsyeve pse është marrë vendimi për krijimin e kësaj gjykate, një prej arsyeve”, ka thënë ajo.
Përveç konferencës në Prishtinë, Trendafilova do të mbajë një të tillë edhe nesër në Mitrovicë.
Ajo ka thënë se përmes mbajtjes së këtyre konferencave synojnë të ofrojnë qasje për një numër më të gjerë të njerëzve në Kosovë, meqë sipas tyre jo të gjithë kanë mundur te jenë sot në Prishtinë.
Përgjigja e saj rreth kësaj çështje ka ardhur pasi nga hulumtues të Institutit të Kosovës për Drejtësi është pyetur se cili është mesazhi politik i mbajtjes së një konferencë në Prishtinë dhe një tjetre në Mitrovicë.
Trendafilova: Nëse më thuhet që njerëzit në Mitrovicë duan të më takojnë, shkoj atje
“Unë nuk jam politikane, unë ua lë njerëzve tanë profesionistë, të cilët vinë çdo muaj këtu për të organizuar këso takime, unë jam ushtare, unë nuk kam qenë kurrë atje, kam qenë në Prishtinë tri herë, nuk kam qenë asnjëherë në Mitrovicë, nëse më thuhet që njerëzit në Mitrovicë duan të të takojnë unë do të shkoj atje dhe nuk pyes kurrë pse, sepse kjo është detyra ime, unë duhet të jem e përgjegjshme”, ka thënë ajo.
Për konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale sot në Prishtinë kanë protestuar aktivistë të Partisë Socialdemokrate të cilët kanë thënë se nuk mund të lenojnë që kjo të kalojë në qetësi meqë Gjykata Speciale është e padrejtë dëshiron të ndryshojë historikun e luftës së Kosovës.
Aktivistët janë futur me fishkëllime në sallën ku po mbahej konferenca, të njëjtit janë ndaluar pastaj nga Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, Ekatarina Trendafilova ka thënë se takimit të sotëm nuk i duhet qasur në mënyrë emocionale. /TV Malisheva