Njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, gjyqtari amerikan John R. Tunheim ka folur për konkluzionet e Kushtetueses për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Gjatë një interviste në Pressing të T7, Tunheim tha se ka pasur rastin të lexojë versionin e shkurtër të vendimit të Kushtetueses rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi.

“E kam lexuar me kujdes, nuk e kam parë versionin e gjatë. Do ta lexoj sapo ta marrë. Gjykata Kushtetuese ka punuar shumë, ka dëgjuar të gjitha palët dhe ka marrë vendim absolut korrekt”, është shprehur Tunheim, këshilltari kryesor i Qeverisë së SHBA-së në hartimin, zhvillimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës në vitin 2008.

Ai thotë se gjatë hartimit të Kushtetutës nuk mund të jepen data rreth zhvillimeve që do të ndodhin.

Duke folur për argumentet e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk ka afat për caktimin e emrit të mandatarit për formimin e Qeverisë së re, Tunheim tha se nuk ka datë të specifikuar, por se kjo duhet të bëhet shpejt.

“Kushtetuta parasheh të lëvizet shpejt përpara. Kur ka shumicë të mundshme për formim të qeverisë, shkohet te grupi i dytë që ka shumicën në Parlament”, ka shtuar ai

Share.