Kryetari i PDK-së Kadri Veseli iu është bashkëngjitur reagimeve të shumta në vend pas vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për vendosjen e masave të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në një postim në Facebook, Veseli shkruan se vendimi i Albin Kurtit për aplikimin e masës së reciprocitetit me Serbinë, vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatarin e ri, kur ai tashmë e di se nuk do të jetë më vetë në qeveri, është akt tipik i mentalitetit të tij mashtrues që po e rrënon Kosovën qe disa vite.

“Qasja e tij: Kur jam unë në pushtet ka shtet e kur nuk jam në pushtet le të bëhet rrëmujë, është tipike e mentalitetit të “koalicionit të shpresës” që për pak javë e muaj, ka dëmtuar shtetin tonë përtej pritjeve më pesimiste”, ka shkruar Veseli.

Sipas tij, ky mentalitet shtet-rrënues do të zgjasë për aq sa zgjat besimi i njerëzve në manipulimet dhe mashtrimet e tilla.

“Por, një njeri si Albin Kurti e një parti si Vetëvendosje, s’mundet ta mashtrojë një popull pafundësisht. Vendimet e orëve të tyre të fundit, s’do të heqin vëmendjen nga skandalet e shumta që kjo kastë mashtruesish krijoi për pak ditë në qeverisje. Sidoqoftë, Kosova ka fat të madh që ka përkrah SHBA-në dhe partnerët perëndimorë”, ka shkruar Veseli.

Do të vijnë shpejtë ditë shumë më të mira se sa këto të mashtrimit të të pashpresëve që po perëndojnë/TVMalisheva

Share.