Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas rrahjes së një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës derisa presidenti Hashim Thaçi po mbante një konferencë për media, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Truprojat e presidentit përçarës kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani vetëm pse ky i fundit ka guxuar të ngrejë zërin gjatë kohës kur Hashim Thaçi po mbante konferencë për media në shesh, ka thënë Vetëvendosje në reagimin e saj.

Aktivisti Veron Hasani ka thirrur “o hajn!”, duke besuar se në Kosovë ende funksionon demokracia dhe liria e fjalës. Por kështu nuk mendon Thaçi dhe truprojat e tij, thuhet më tej në reagim.

Vetëvendosje thotë se nga pamjet e videos bashkangjitur, xhiruar nga mediat, shihet qartë sjellja çnjerëzore dhe brutale e këtyre truprojave ndaj një qytetari që nuk ka bërë asgjë, përveçse ka folur. Me të mbaruar punë me qytetarin, truprojat i janë kthyer gazetarit, i cili po ashtu është sulmuar që t’i merret videoja. Mbulimi i gjurmëve, karakteristikë e bashkëpunëtorëve të këtij presidenti.

Vetëvendosje bën me dije se kjo parti, aktivistët e saj dhe qytetarët nuk ua kanë frikën ‘shkelmave’ të fundit të ‘Pronto-Presidentit që ka humbur toruan dhe së bashku me qytetarët do ta ndalim atë dhe gjithë abuzuesit’.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Veronit, si dhe kërkojmë nga organet e rendit arrestimin e këtyre personave të cilët godasin qytetarët vetëm pse flasin lirshëm në sheshet e Republikës. Ftojmë edhe organizatat që merren me monitorimin e të drejtave njerëzore e politike, me demokracinë e lirinë e fjalës, të reagojnë kundër kësaj arrogance diktatoriale që po tenton të imponohet nga ana e Thaçit në Kosovë”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje./ Tv Malisheva

Share.