Sot përkujtohet 193-vjetori i lindjes së Elena Gjikës, e njohur me pseudonimin letrar si Dora d’Istria, shkrimtare dhe publiciste që përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës.
Elena Gjika lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar të vitit 1829. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj nga qyteti i Pargës.
Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj.
Disa nga studimet e saj, vlejnë të përmenden: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalite albanaisi d’apres les chants populaires), 1866, “Shkrimtarët shqiptar të Italisë jugore” (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale), 1867, “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia), 1873 etj. Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare.
Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” ( Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870.
Elena Gjika vdiq në Firence në vitin 1888.

 

Dora D’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Evropës, atë të Parisit. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta. Në vitin 1867 u bë qytetare nderi e Athinës. Ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit. Biografia dhe krijimtaria e Elena Gjikës janë shumë të pasura e interesante. Ndaj, sado që do të lexoni për të, akoma diçka mbetet e panjohur. Për këtë arsye themi: Ju nuk e njihni Elena Gjikën. Akoma keni për të mësuar e zbuluar nga jeta e saj.

Në kohën kur Gjika pushtoi majën më të lartë të Evropës, atje nuk ekzistonin kushtet e sotme për ngjitje. Kjo ekspeditë e saj, sot merr edhe kuptim simbolik.

Elena Gjika vdiq në vitin 1888 në shtëpinë e sajë në Firence, Itali. Një rrugë e Firences mban emrin e saj. Aty gjendet edhe pllaka në të cilën është theksuar origjina e saj shqiptaro-rumune./TV Malisheva

Share.